Në raundin e dytë kualifikues të Europa Conference League, kampionia e Kosovës, Prishtina do të përballet nesër me ekipin nga Uellsi, Connah’s Quay Nomads.

“Plisat” u mposhtën në raundin e parë kualifikues të Champions Leagues nga Ferencvaros dhe tani do të garojnë në raundin e dytë kualifikues të Conference League.

Në këtë raund, ata do të përballen me klubin uellsian, Connah’s Quay Nomads. Ata u eliminuan në raundin e parë të Champions Leagues nga Alashkert.

Tashmë, ekipi uellsian ka arritur në Prishtinë dhe ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri.

Përmes postimit në faqen e tyre, Connah’s e quan stadiumin “Fadil Vokrri” mbresëlënës.

“Kemi arritur në stadiumin mbresëlënës “Fadil Vokrri” dhe zhvilluam stërvitjen e parë këtë mbrëmje” – thuhej në postim.

Stadiumi ku luajnë ndeshjet si vendas Connah’s Quay Nomads ka kapacitet vetëm 1,500 ulëse, kurse “Fadil Vokrri” ka kapacitet prej 13,500 ulëseve.

Ndeshja e parë mes tyre luhet nesër, më 20 korrik në Prishtinë nga ora 18:00, kurse ajo e kthimit nëntë ditë më vonë në Uells.