Një atlet ugandas i cili është zhdukur në Tokio para mbajtjes së Lojërave Olimpike kishte lënë një shënim duke thënë se jeta e tij në vendin afrikan ishte shumë e vështirë dhe ai dëshironte të punonte në Japoni, kanë thënë zyrtarët japonezë.

Julius Ssekitoleko, një peshëngritës 20-vjeçar, nuk arriti të kualifikohej për Lojërat pas mbërritjes së tij në Japoni, dhe duhej të kthehej përsëri në Uganda në 20 Korrik.

Por ai u pa për herë të fundit në një stacion lokal pranë hotelit të delegacionit të tij në Izumisano në 6:30 të mëngjesit të së premtes. Sportisti bleu një biletë treni nga Shinkansen për Nagoya, rreth 200 kilometra larg, tha një zyrtar i Izumisano për CNN.

Në shënim, Ssekitoleko tha se ai nuk dëshironte të kthehej në Uganda dhe u kërkoi anëtarëve të delegacionit të tij që t’ia kthenin gjësendet gruas së tij, shtoi zyrtari nga Izumisano.

Zyrtarët e qytetit fillimisht kishin frikë se ai kishte humbur rreth mesditës të së premtes, kur vunë re se një mostër për Covid-19 nuk ishte dorëzuar nga Ssekitoleko, tha zyrtari i qytetit Osamu Mizoguchi.

Policia lokale e ka kërkuar atë pa sukses, shtoi Mizoguchi.

Ssekitoleko garoi në finalen e peshëngritjes 56 kg për meshkuj në Lojërat e Komonuelthit 2018, kur ishte vetëm 17 vjeç. Ai përfundoi i 10-ti në atë garë.

Dy atletë nga Uganda, si dhe të tjerë nga Ruanda dhe Kameruni, më parë janë “zhdukur” gjatë lojërave të Komonuelthit, të cilat u mbajtën në Gold Coast, Australi, njoftoi PA Media në atë kohë.

Dy lojtarë të ragbit nga Uganda, të cilët u zhdukën pasi garuan në Lojërat e Komonuelthit 2014 në Glasgow, Skoci, u zbuluan më vonë se kishin kërkuar azil dhe po luanin për një ekip ragbi në Cardiff, raportoi BBC në 2015.

Delegacioni i Ugandës ishte ndër ekipet e para që mbërritën në Japoni për Lojërat Olimpike të vonuara të Tokios. Ekipi filloi stërvitjen në qytetin perëndimor të Japonisë në 7 korrik pasi përfunduan karantinimin e detyrueshëm.

Me të mbërritur në fund të qershorit, një anëtar i delegacionit doli se ishte pozitiv me variantin Delta.

Ceremonia e hapjes së Lojërave është caktuar të Premten, por ngjarjet në qytetin nikoqir nuk do të kenë spektatorë meqë Tokio është në gjendje të jashtëzakonshme për Covid-19.