Ka përfunduar ndeshja e zhvilluar mes Dritës dhe Dukagjinit, në kuadër të xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Zeri.info.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Selami Osmani, Bezi” ka përfunduar në favor të Dritës, e cila triumfoi me rezultat të lartë, 4-0, ndaj “Hithave”.
Fillimisht ishte sulmuesi mitrovicas, Arbnor Muja, që shënoi në minutën e nëntë për 1-0 me asistim të Alzerajt.
Dukagjini u detyrua të zhvilloi ndeshjen me një lojtar më pak, pasi në minutën e 41-të Altin Merlaku u përjashtua me karton të kuq direkt, pas ndërhyrjes së palejuar në Ardian Limanin.
Gjatë pjesës së dytë ishte përsëri Muja, i cili realizoi në minutën e 61-të për 2-0.
Gjashtë minuta para fundit të kohës së rregullt, mbrojtësi i krahut, Ilir Blakqori, arriti të shënojë golin e tretë.
Kurse, krejt në minutën e fundit të kohës shtesë, Ardit Tahiri e shënoi edhe golin e katërt.
Me këtë fitore, Drita ngrihet sërish në vendin e tretë me 28 pikë, kurse Dukagjini është i parafundit me 16 të tilla.






























