PSG doli fitimitar me rezultat 5-4 ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e parë gjysmëfinale në një mbrëmje magjike të Ligës së Kampionëve.

Bayern kaloi i pari në avantazh në minutën e 17-të, kur Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm për 1-0.

Reagimi i PSG-së ishte i shpejtë. Në minutën e 24-tw, Khvicha Kvaratskhelia barazoi me një aksion individual dhe finalizim të saktë nga brenda zonës për 1-1.

Në minutën e 33-të, PSG përmbysi rezultatin pas një goditjeje këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte, ku Joao Neves shënoi me një goditje të fuqishme me kokë për 2-1.

Por Bayern nuk u tërhoq dhe në minutën e 41-të Michael Olise realizoi një supergol nga jashtë zone, duke e ngulur topin në “çatinë” e portës për 2-2.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë pati një moment kyç. Pas rishikimit me VAR u akordua penallti për PSG dhe Ousmane Dembele shënoi në minutën 45+5’, edhe pse Manuel Neuer e preku topin, për t’i dhënë avantazhin vendasve 3-2 në pushim.

Në pjesën e dytë PSG e rriti ndjeshëm intensitetin. Në minutën e 56-të, pas asistimit të Achraf Hakimit, Kvaratskhelia shënoi sërish me një goditje të saktë nga zona për 4-2.

Vetëm dy minuta më pas, në minutën e 58-të, Dembele realizoi edhe golin e tij të dytë me një goditje të bukur që u përplas në shtyllë dhe përfundoi në rrjetë për 5-2.

Bayern tentoi të rikthehej dhe e ngushtoi diferencën në minutën e 65-të, kur Dayot Upamecano shënoi me kokë pas një goditjeje standarde të ekzekutuar nga Joshua Kimmich, duke e çuar rezultatin në 5-3.

Më pas pati edhe një episod të rëndësishëm për bavarezët: Luis Díaz fillimisht u ndal për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit me VAR (minuta 70’) u konfirmua se goli qëndronte, duke shtuar edhe më shumë tensionin në minutat e fundit.

Në fund, PSG pati edhe një rast të artë për të “mbyllur” ndeshjen, kur Senny Mayulu doli i vetëm në zonë, shmangu portierin, por gjuajtja e tij u ndal në traversë.

Në tërësi, ishte një sfidë me shumë kthesa, ku golat, VAR-i dhe momentet individuale e bënë ndeshjen një prej atyre që mbahen mend gjatë.