Me një ceremoni madhështore janë mbyllur Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ceremonia mbyllëse është mbajtur të dielën në “Beijing National Stadium”, në kryeqendrën e Kinës. Lojërat i ka shpallur të mbyllura presidenti i IOC-së, Thomas Bach. Ai i ka vlerësuar lojërat e Pekinit si shumë të suksesshme, ndonëse të mbajtura në pandemi.

“Nëse duam që përfundimisht të kalojmë këtë pandemi, duhet të jemi më të shpejtë, të synojmë më lartë, të jemi më të fortë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Në frymën e solidaritetit të kësaj olimpiade, thirrja jonë për komunitetin ndërkombëtar është: ofroni qasje të barabartë për vaksina për të gjithë njerëzit anembanë botës”, ka thënë Bach para se të shpallte të mbyllura Lojërat.

Ai ka shfrytëzuar fjalimin përmbyllës për të bërë thirrje për paqe në botë. “Ju jo vetëm që keni respektuar njëri-tjetrin, ju e keni përkrahur njëri-tjetrin. E keni përqafuar njëri-tjetrin, edhe nëse vendet tuaja janë të ndara nga konfliktet. Ju keni tejkaluar këto ndarje, duke demonstruar se në këtë komunitet olimpik jemi të gjithë të barabartë, pavarësisht se si dukemi, se prej nga vijmë apo në çfarë besojmë. Kjo forcë bashkuese e Lojërave Olimpike është më e fortë se forcat që duan të na ndajnë ne. Jepni paqes një mundësi. Liderët politikë nëpër botë le të inspirohen nga shembulli ynë i solidaritetit dhe paqes”, ka theksuar Bach.

Lojërat janë mbyllur me një spektakël fishekzjarrësh. Pjesë e “Pekini 2022” ishte edhe Kosova e po ashtu Shqipëria. Më e suksesshmja ishte Norvegjia me 37 medalje, prej tyre 16 të arta. Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore mbahen në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë prej 6 deri më 22 shkurt të vitit 2026.