Skuadra e Barcelonës do të jetë pa mesfushorin Pedri për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Pedri u dëmtua në ndeshjen çerekfinale kundër Eintracht Frankfurtit dhe u detyrua ta lëshonte fushën pas pjesës së parë.
Barcelona të premten ka njoftuar se Pedri ka një këputje të muskulit në kofshën e këmbës së majtë dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. Barça nuk e ka bërë të ditur se sa do të mungojë Pedri, por mediumet spanjolle kanë thënë se ai të paktën do të qëndrojë për tetë javë jashtë fushës.
“Pas testeve të kryera është konfirmuar lëndimi i Pedrit. Ai është jashtë fushës dhe rikuperimi i tij do ta përcaktojë disponueshmërinë e tij”, ka shkruar Barça në “Twitter”.
Mesfushori 19-vjeçar këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka bërë një asistim në 22 paraqitje te Barcelona.



























