Bota e futbollit do të ketë vëmendjen nga Tirana, aty ku më 25 maj, në stadiumin “Air Albania” do të luhet finalja e Ligës së Konferencës.

Gjithçka duket gati, për të pritur këtë event madhështor dhe historik. Përveç masave të marra për sa i përket anës organizative, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga e mërkura, në rrugët e kryeqytetit kanë nisur përgatitjet edhe për sa i përket dekorit.

Në bulevardin kryesor të Tiranës, që lidh sheshin “Nënë Tereza” me atë “Skënderbe”, është vendosur një dekor fantastik ku krahas logos së Ligës së Konferencës, shkruhet edhe “Tirana Final 2022”.

Në ditën historike për Shqipërinë, për sa i përket një organizimi evropian në botën e futbolli, pritet të ketë një dyndje tifozësh kryesisht nga Italia dhe Holanda, të cilët do të gjejnë komditetin e duhur, për të shijuar një finale të vërtetë.

Roma dhe Feyenoord do të luajnë për trofeun e më të mirit.