Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic ka gëzuar ndjekësit në rrjetet sociale me një postim ku tregon se këmbët e tij edhe pse dalëngadalë po hyn në moshën 41-vjeçare, janë ende në gjendje fantastike dhe gati për sfidat e reja që e presin.

Për shkak të një operacioni të fundit në gju, Ibrahimovic nuk do të jetë me skuadrën e Milanit në fillim të sezonit dhe pritet që ai të kthehet në fushë në fund të vitit 2022.

Por kjo nuk e pengoi atë të nënshkruajë kontratë të re me kuqezinjtë dhe duke e zgjatur qëndrimin edhe për një vit.

Ai ka konfirmuar se është gati dhe i motivuar për një rikthim të ri dhe një sezon tjetër futbollistik në nivelin më të lartë në botë, me një postim në faqet e tij në rrjetet sociale, ku ka publikuar një foto të këmbëve me përshkrimin: “Pa kufij” .

Dhe me të vërtetë, fotografia duket shumë mbresëlënëse duke pasur parasysh se kanë kaluar vetëm 11 javë nga operacioni në gju dhe fansat e tij reaguan menjëherë me entuziazëm dhe për pak orë ai grumbulloi mbi 600 mijë reagime në Instagram.

Në sezonin e ardhshëm Milani do të mbrojë titullin kampion, ndërsa në xhiron e parë do të luajë kundër Udineses në stadiumin e tyre.

Pas kësaj ata do të kenë një vizitë në Atalanta, e më pas një ndeshje në shtëpi kundër Bologna.