Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) i ka dalë sërish punë me klubet serbe për sjellje josportive të tifozëve serbë. UEFA të hënën ka dënuar Partizanin e Beogradit për shkeljet që i kanë bërë tifozët e këtij klubi në ndeshjen e 11 gushtit ndaj AEK Larnacas së Qipros, në kuadër të Ligës së Evropës.

UEFA ka njoftuar se ka dënuar Partizanin, ndër të tjera, për sjellje diskriminuese të tifozëve të tij. 

Partizani është dënuar me 20 mijë euro dhe me mbylljen e pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme evropiane, “për sjellje diskriminuese të tifozëve të tij. Sektori që do të mbyllet duhet të përbëhet nga të paktën 2000 vende”.

Partizani është obliguar që të vendosë panon “#NoToRacism”, me logo të UEFA-s, në ndeshjen e ardhshme evropiane, që e luan këtë javë, në Ligën e Konferencës.

16 mijë euro tjera do të paguajë Partizani për mbyllje të rrugëve publike në stadium, 10 mijë e 500 euro për hedhje të gjësendeve në fushën e lojës dhe 12 mijë euro për hyrje të shikuesve në fushën e lojës.