Mol Fehervar ka njoftuar se ka nënshkruar me futbollistin e Kosovës, Lirim Kastratin.

Kastrati ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin hungarez, dhe do ta mbajë fanellën me numrin 10.

Së fundmi, ai ishte lojtar i Legia Warszawa, ku zhvilloi 16 paraqitje.

Ai debutoi në kombëtaren e Kosovës në vitin 2018, luajti 17 herë në kombëtare dhe shënoi golin e tij të vetëm deri më tani në ndeshjen 1-0 të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë.

“Disa klube më kanë kontaktuar në periudhën e kaluar, por Vidi u tregua opsioni më i mirë nga të gjitha pikëpamjet. Para se të pranoja ofertën e klubit, fola me drejtorin sportiv István Sallói dhe trajnerin Michael Boris dhe ishte shumë mirë që të dy donin që unë të transferohesha te Fehervar”, është shprehur Kastrati për faqen zyrtare të klubit.

“Një nga gjërat më të rëndësishme për një lojtar është të ndjejë besim. Përveç dy profesionistëve, fola edhe me ish-bashkëlojtarin tim, Myrto Uzuni, për futbollin hungarez dhe Vidin, dhe ai gjithashtu tha vetëm gjëra të mira si për kampionatin ashtu edhe për ekipin e Fehervar”.

“Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për mua që ta tregoj veten, qëllimi im është të performoj në atë mënyrë që trajneri i Kosovës të llogarit përsëri tek unë”.