Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, rrezikon të dënohet për ndeshjet e ardhshme të ekipit të tij për shkak të një grindjeje me një gjyqtar. Arbitri u mbrojt fuqishëm të hënën nga grupi i zyrtarëve të ndeshjeve në Premier League.

Klopp ka një histori me gjyqtarin Tierney prej edicionit të shkuar, të cilin e kritikoi pas barazimit 2:2 kundër Tottenhamit, për dështimin për të përjashtuar sulmuesin Harry Kane.

“Ne kemi historinë tonë me zotin Tierney. Unë vërtet nuk e di se çfarë ka ky njeri me ne, vërtet nuk e di. Ai gjithmonë do të thotë se nuk ka asgjë dhe nuk është e vërtetë. Nuk mund të jetë e vërtetë kjo që thotë ai”, tha Klopp. “Nuk jam i sigurt nëse jam unë, sepse si më shikon ai nuk e kuptoj. Festa ime para gjyqtarit të katërt, të cilit nuk ia thashë asnjë fjalë të keqe, ishte e panevojshme. Unë u ndëshkova menjëherë për këtë, tërhoqa muskulin e kofshës sime. Shumë mirë, kjo është e drejtë. Por ajo që më tha kur më dha kartonin e verdhë, nuk është në rregull”.

Organi që njihet me emrin “Professional Game Match Officials Limited” (PGMOL) – i cili mbikëqyr gjyqtarët në Premier League – mbrojti Tierneyn pasi dëgjoi audion e bisedës së tij me Kloppin. Ky organ reagoi menjëherë të hënën duke kërkuar suspendimin e Kloppit.

“Zyrtarët e ndeshjeve në Premier League regjistrohen në të gjitha ndeshjet përmes një sistemi komunikimi”, tha PGMOL në një deklaratë të hënën, duke shtuar se Tierney “veproi në mënyrë profesionale gjatë gjithë kohës, duke përfshirë kur i kërkoi trajnerit të Liverpoolit të ketë kujdes. Prandaj, ne hedhim poshtë çdo sugjerim se veprimet e Tierney ishin të pahijshme”.

Klopp, i cili gjithashtu kritikoi Tierneyn për akordimin e goditjes së lirë në favor të Tottenhamit, që çoi në barazim, mund të përballet me masa të mëtejshme disiplinore përpara pesë ndeshjeve të mbetura të Liverpoolit.

Liverpooli i vendit të pestë ka ende mundësi teorike për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve edicionin tjetër. I duhet të shkrijë një diferencë prej shtatë pikësh ndaj Manchester Unitedit të vendit të katërt, i cili ka të luajtur një ndeshje më pak. Klopp vuajti dënimin me një ndeshje dhe u paralajmërua për sjelljen e tij kur Federata e Futbollit e Anglisë fitoi një çështje apeli mbi kritikat e trajnerit gjerman ndaj një gjyqtari ndihmës gjatë një fitoreje të Liverpoolit në shtëpi ndaj Manchester Cityt, në tetor të vitit të shkuar. Liverpooli është kualifikuar në Ligën e Kampionëve në secilin nga gjashtë edicionet e Kloppit në krye të ekipit, duke fituar trofeun e çmueshëm evropian në vitin 2019. Në finale pati mposhtur skuadrën e Tottenhamit, ndërsa në dy finale të tjera të Championsit është mposhtur nga Real Madridi.

Javën e shkuar Klopp pranoi në një mënyrë që është pajtuar me faktin që Liverpooli do të luajë në Ligën e Evropës, por shtoi se do ta ndjekin kualifikimin në Ligën e Kampionëve deri në fund të edicionit. Paraqitja në Ligën e Evropës, që është niveli i dytë i garave të UEFA-s, mund t’i kushtojë Liverpoolit me humbjen e 50 milionë eurove që ndahen nga shtëpia evropiane e futbollit për Champions. Liverpooli këtë javë do t’i luajë dy ndeshje, kurse Klopp mund ta marrë suspendimin të martën. Liverpooli do ta presë Fulhamin të mërkurën dhe gjithashtu do të luajë në shtëpi kundër skuadrës së Brentfordit të shtunën.