Mërgim Vojvoda është në vitin e tij të tretë me klubin e Torinos teksa lojtari i Përfaqësueses së Kosovës është shndërruar në një element mjaft të rëndësishëm për teknikun e “Granatave”, Ivan Juric. Anësori e ka nisur si titullar edhe këtë sezon teksa ka besimin e plotë të teknikut kroat, ndërsa ishte në fushë edhe në debutimin e Torinos për këtë sezon të Serie A.
Torinezët nuk shkuan përtej një barazimi pa gola në shtëpi ndaj Cagliarit, megjithatë Vojvoda pas sfidës u shpreh se skuadra luajti mirë dhe se i mungoi vetëm goli. Ndër të tjera, 28-vjeçari theksoi se nuk mendon aspak për merkaton pasi ndjehet mirë te Torino.
“Cagliari zhvilloi një ndeshje të fortë sidomos në aspektin difensiv. Gjithsesi, krijuam rastet tona dhe mungoi vetëm goli. E dinim mirë rreshtimin e kundërshtarit, pritej që të qëndronin në mbrojtje dhe nuk mund të fitonim 5-0. Provuam edhe me goditjet nga distanca, por nuk na eci. Merkato? Unë ndjehem shumë mirë te Torino, jam i lumtur dhe nuk e mendoj merkaton. Me trajnerin Juric mësoj shumë dhe marrëdhënia jonë është gjithmonë e më e mirë”, u shpreh Vojvoda.
Kujtojmë se Vojvoda gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Kupën e Italisë ndaj Feralpisalo duke ndihmuar skuadrën e tij të fitonte me shifrat 2-1 dhe të avanconte për më tej në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në Itali.