Disa futbollistë u stërvitën në Kampion Nacional në Hajvali pasdite e së hënës e disa në palestrën e hotelit.

Kështu ishte dita e parë e grumbullit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll për ndeshjen kundër Andorrës, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Në fakt, njoftim për mbajtjen e stërvitjes të hënën nuk pati nga FFK-ja e as nga personat zyrtarë të Përfaqësueses së Kosovës.

Kosova të enjten do të përballet kundër Andorrës në udhëtim, në kuadër të Grupit I kualifikues për “Euro 2024”. Ndeshja nis në ora 20:45.

“Një pjesë e futbollistëve dardanë kanë stërvitur pasdite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, derisa disa prej lojtarëve që kanë arritur më vonë kanë bërë stërvitje në palestër në hotel”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

FFK po ashtu ka bërë të ditur se stërvitja e udhëhequr nga seleksionuesi Primozh Gliha, ka qenë me intensitet të lehtë dhe se më shumë ka shërbyer si rigjenerim për lojtarët.

“Për ndeshjen me Andorrën, përzgjedhësi Primozh Gliha do të ketë mungesa të shumta, ngase përveç Vedat Muriqit të pezulluar, do të mungojnë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada dhe Shkëlqim Vladi, të cilët pësuan lëndime në ndeshjet e fundjavës me klubet e tyre, derisa në dyshim mbetet Edon Zhegrova, i cili është në pritje të rezultateve nga ekzaminimet e fundit mjekësore”, shkruan tutje në njoftimin e FFK-së.

Kosova është në kërkim të fitores së parë në eliminatore për “Euro 2024” dhe atë synon ta arrijë në udhëtim ndaj Andorrës. Ndërkohë, ndeshja Kosovë – Izrael është në dyshim. Njoftim zyrtar ende nuk ka për shtyrjen e kësaj ndeshje. Por sipas FFK-së gjasat janë të mëdha që përballja me Izraelin do të shtyhet për një termin tjetër për shkak të situatës së krijuar në Izrael.