Në çdo sfidë që Shqipëria ka zhvilluar në “Air Albania”, në kualifikueset “Euro2024”, stadiumi ka qenë plot. I njëjti trend do të vijojë edhe në sfidën e fundit në këtë grup, atë kundër Ishujve Faroe, ku të gjithë biletat u shitën sërish në një kohë rekord, brenda 2 orësh. Tifozët vërtetuan edhe një herë se janë të çmendur pas ekipit kombëtar, por jo vetëm kaq, këtë periudhë janë kthyer dhe një burim fitimi shumë të madh për Federatën Shqiptare të Futbollit. Vetëm për sfidën e fundit, atë kundër Ishujve Faroe, FSHF ka arkëtuar afro 1 milionë euro.

Nga kjo aventurë në këto kualifikuese, FSHF ka arkëtuar afro 3 milionë euro vetëm nga shitja e biletave, pa llogaritur reklamat etj. Përfitimet e Federatës pritet të kalojnë në një tjetër nivel pas kualifikimit në Evropian, por në të njëjtën kohë, FSHF nuk kursehet kur bëhet fjalë për të motivuar stafin dhe lojtarët, pasi do të shpërndarë 4,5 milionë euro premio për këtë arritje të madhe. Shqipërisë i duhet vetëm një pikë në dy sfidat e fundit për të siguruar matematikisht një biletë për në “Euro2024”.





























