Ka nisur shitja e biletave për duelin e 20 nëntorit ndërmjet Shqipërisë dhe Ishujve Faroe. Biletat për duelin e fundit kualifikues për “Euro 2024” në “Air Albania” kanë çmimin prej 3 mijë deri në 8 mijë lekë. Shqipëria – Ishujt Faroe takohen në “Air Albania” në ndeshjen e fundit të Grupit E kualifikues për Evropianin që vitin tjetër organizohet në Gjermani.

Shqipëria është fare pranë kualifikimit në Evropian për herën e dytë në histori, pasi një sukses të tillë e kishte shënuar në “Euro 2016” në Francë. Shqipëria është e para me 13 pikë në gjashtë ndeshje, dy më shumë se Republika e Çekisë.
Polonia në shtatë ndeshje ka 10 pikë. Moldavia ka nëntë pikë në gjashtë ndeshje, kurse Ishujt Faroe në vendin e fundit kanë një pikë. Shqipërisë i duhet vetëm edhe një pikë për t’u kualifikuar. Ndeshjen e radhës e luan në udhëtim te Moldavia më 17 nëntor.




























