Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha, pritet të jetë përforcimi i parë i Dinamos së Zagrebit në afatin kalimtar të janarit.
Mediumi kroat “germanijak.hr” ka shkruar të mërkurën se Dinamo pothuajse ka arritur marrëveshje me Slaven Belupon për transferimin e Hoxhës. Raportohet se kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për të finalizuar marrëveshjen mes klubeve, pasi Hoxha është i vendosur për t’iu bashkuar Dinamos. Madje Hoxha tashmë ka njoftuar drejtuesit e Slaven Belupos se prej të gjitha ofertave që i ka para vetes më së shumti i intereson ajo e Dinamos.
Mediumi kroat ka raportuar se negociatat mes klubeve ka disa javë që kanë filluar dhe se marrëveshja në fillim të bisedimeve ishte shumë larg. Slaven Belupo kishte kërkuar tre milionë euro për Hoxhën, çmim ky që Dinamo kishte refuzuar menjëherë. Dinamo ka refuzuar edhe kërkesën e dytë të Slaven Belupos prej dy milionë eurosh, ndërsa tani marrëveshja pritet të finalizohet për 800 mijë euro.






























