E ardhmja e Osimhenit, Juventusit dhe Botërorit për Klube, por jo vetëm kaq. Në fjalën e tij gjatë ‘Business of Football Summit’, një ngjarje e promovuar nga ‘Financial Times’, që po mbahet në Londër, Aurelio De Laurentiis preku shumë tema.

Mes tyre edhe tregun e transferimeve, lidhur me Napolin e tij. Numri një i klubit axurr zbuloi se ishte një hap larg Erling Haaland, sot një nga qendërsulmuesit më të fortë në botë. De Laurentiis foli për një negociatë kur futbollisti norvegjez vishte fanellën e Salzburgut.

Një keqardhje e madhe për klubin italian, i cili sot mund të mburrej me një nga futbollistët më të rëndësishëm në planet. Arsyeja e ndalimit të negociatave? Mino Raiola, agjenti i Haaland, i cili ndërroi jetë më 30 prill 2022. De Laurentiis tregoi një histori të veçantë sfondi, lidhur pikërisht me atë operacion që nuk u përfundua kurrë:

“Më kujtohet kur zbulova Haaland, për mua ishte një lojtar i madh. Këshilltarët e mi ishin të gjithë të shqetësuar, sepse nuk e njihnin akoma. Ai ishte te Salzburgu, doja ta blija për 50 milionë euro.

Më pas, Mino Raiola më mori në një dhomë të ndenjes dhe më tha: Shiko, mos i trego këto gjëra, ne jemi miq. Unë tashmë jam kujdesur për Haaland, mos u shqetëso. E ndalova dhe negociatat përfunduan aty. Ai kishte organizuar tashmë gjithçka, por donte edhe përfitimet e tij të majme”.

Së fundi, kujtimi i Mino Raiola, një agjent historik që u nda nga jeta dy vite më parë, dhe një mesazh për klubet e tjera: “Raiola ishte profesionalisht i patëmetë, por ndiqte interesat e tij, jo ato të klubeve. Nëse klubet janë në borxhe, ato duhet të zgjohen”.