Mallorca e Vedat Muriqi arriti një sukses të madh duke u kualifikuar në finale të Kupës së Spanjës, ku do të përballet me Athletic Bilbaon.

Muriqi u shpreh i kënaqur me këtë arritje, teksa potencoi se rrugëtimi deri në finale nuk ishte i lehtë.

Ndërkohë, sulmuesi kosovar ka arritur në shifrën e 25 golave të shënuar në La Liga dhe në vend të parë është Samuel Eto’o me 54 sosh.

Muriqi theksoi në një intervistë me gazetarin Arlind Sadiku, se nëse nuk do të ketë lëndime do të synojë që t’ia thyejë rekordin dhe të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas në La Liga.

“Kurrë nuk kam thënë, nëse e arrij me përfundu karrierën këtu, nëse vazhdoj me këtë formë, jam i sigurt se do ta thyejë rekordin, po varesh edhe fizikisht, prej lëndimeve, vjen një moment, kur klubi të thotë se nuk na nevojitesh, deri në përfundim të kontratës besoj që po”, u shpreh Muriqi.

Ai mes tjerash foli edhe për Kosovën, në veçanti për trajnerin e ri, Franco Fodën, për të cilin tha se ka pritje të madhe. 

“Ai ka me ardhur në Mallorca, lojën ndaj Gironas, ka kërkuar një takim, do të kemi një takim. Ka qenë te Amiri, ndihmësit e tij kanë qenë në Stamboll, po interesohen për lojtarët ku luajnë apo ku je. Besoj që Kosova federata e ka bo zgjidhjen e duhur, për shkak të kushteve që kemi ky është zgjidhje e duhur për neve, e njoh prej kombëtares së Austrisë, kur dëgjova se u bë i kom thirrë disa shokë dhe më kanë thënë fjalë të mira”, u shpreh Muriqi.

Muriqi theksoi se ndihet komplet ndryshe në fushë kur luan me fanellën e Dardanëve.

“Çdo minutë që jam në fushë me fanellën e Kosovës dhe që shënoj gol me fanellën e Kosovës e ndjejë shumë më ndryshe se kur luaj me ekipin”.

Ai u shpreh i kënaqur edhe fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, që do të rinovohet.

Ndërsa u shpreh optimist për grupin që Kosova u shortua në Ligën e Kombeve.

“Faktikisht krejt në grup synojmë vendin e parë në grup, nëse nuk ndodhë diçka, Rumania dhe Kosova janë favoritë, nuk duhet bërë gabim me mbet baras dhe me shku atje me humb. Me shkojmë për vendin e parë në grup, tashmë e kemi edhe trajnerin”, u shpreh Muriqi.