Kampionati i Kosovës për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21 nxori plot 35 kampionë të karatesë. Por vetëm 21 kampionë të Kosovës janë përzgjedhur të marrin pjesë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21 që do të mbahet në Bielsko-Biala të Polonisë nga 7 deri më 9 shkurt. 14 kampionët e tjerë kanë mbetur jashtë listës.
Leart Gashi i kategorisë deri 84 kilogramë në grupmoshën U21, Edina Metolli e kategorisë deri 50 kilogramë (U21) dhe Finesa Islami e kategorisë deri 66 kilogramë (juniorë), janë tre prej 14 kampionëve të dalë nga Kampionati Shtetëror i Kosovës i mbajtur më 5 janar, që nuk do të paraqiten në Evropian.
Klubi “Unsu” nga Prishtina, ku paraqitet Leart Gashi, ditë më parë doli me reagim të ashpër. E quajti turp vendimin për të mos dërguar garuesin e tij në Evropian.
“Përzgjedhjet e selektorit Ylber Syla, të miratuara nga Bordi i FKK-së, janë me tendencë dhe paraqesin politika të turpshme që dëmtojnë të ardhmen e sportit të karatesë. Garuesi ynë Leart Gashi – kampion i dyfishtë dhe i artë në të gjitha garat, lihet jashtë listës së përfaqësueses për arsye që veç ata dhe Bordi Ekzekutiv i dinë. Mos e degradoni sportin, mos e humbni punën e trajnerëve që punojnë në salla e të garuesve që realisht meritojnë të jenë në atë listë”, shkruan në reagimin e publikuar të martën.
Trajnerja Luljeta Shala të enjten për KOHËN i qëndroi pas reagimit të klubit.
“Është shkelur një garues i imi, por po shpresoj se do të ndryshojnë disa gjëra dhe ndoshta edhe selektori do ta shohë se ka gabuar. Garuesi im, i cili ka fituar dy vende të para, e ka merituar të jetë përfaqësues i shtetit, është fakt. Kam bërë edhe një reagim publik për këtë, ia kam shprehur pakënaqësinë edhe kryetarit dhe janë të njoftuar. Më kanë thënë se selektori e ka dorëzuar listën, Bordi e ka aprovuar. Nuk e di. Një anëtar i Bordit më tha se selektori ka vendosur dhe po supozoj se selektori ka vendosur dhe ka gabuar”, ka thënë Shala.
Leart Gashi ka qenë garuesi i vetëm i kategorisë deri në 84 kilogramë. Ai e fitoi epitetin e më të mirit pa luftë në tatami. Konkurrenca ka qenë e zbehtë edhe në kategori të tjera. Kampionë në disa kategori kanë dalë edhe me nga një luftë të fituar
Selektorët thonë se vendimi ishte i Bordit
Akuzave të Shalës u është përgjigjur selektori Ylber Syla. Syla është njëri prej dy selektorëve për seniorë dhe grupmoshën U21.
“Unë si selektor e kam dorëzuar listën me emrat e radhitur sipas rezultateve. Kam bërë renditjen e të gjitha kategorive. Nuk e kam larguar emrin e garuesit. Jo vetëm të atij, por asnjërit. Kam dërguar listën prej 11 garuesve. Leart Gashi ka qenë i renditur si i 9-ti në listë. Ajo ka bërë gabim që e ka bërë atë reagim ndaj meje. Është turp dhe duhet të merren masa, pasi vendimin përfundimtar e ka marrë Bordi duke i dërguar shtatë garues për grupmoshën U21”, ka thënë Syla për KOHËN.
Edhe njëri prej dy selektorëve për grupmoshat kadetë dhe juniorë, Leutrim Pepaj thotë se ia kanë dorëzuar Bordit të Federatës listën me emrat e të gjithë kampionëve të Kosovës. Ai thotë se vendimi përfundimtar është marrë nga Bordi i Federatës.
“Për këtë pjesë besoj se Federata mund të japë përgjigje, pasi e kanë përgjysmuar listën shkaku i mungesës së buxhetit. Listën me emrat e të gjithë kampionëve të Kosovës për kadetë dhe juniorë i kemi dorëzuar, Bordi ka vendosur që vetëm një pjesë të shkojë shkaku i buxhetit. Te përzgjedhja e kadetëve dhe juniorëve nuk ka pasur asnjë ankesë, pasi nuk ka pasur hapësirë për ankesë. Jemi dy selektorë, unë dhe Fatmir Sopi”, ka theksuar Pepaj.
Një tjetër trajner i karatesë ka shprehur zhgënjimin që garueset e tij kanë mbetur jashtë listës për Evropian.
“Zakonisht kampionët në çdo sport e përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare. Por kanë mbetur jashtë shumë kampionë. Tash ku është logjika jonë të ushtrosh, të fitosh dhe nuk shkon në Evropian, pse t’u mohohet pjesëmarrja. Në rastin tonë i kam pasur tre kampionë, por dy kanë mbetur jashtë. Kanë mbetur edhe shumë të tjerë jashtë listës. Është mbyllur afati kohor i paraqitjes. Nuk kanë të drejtë t’ua mohojnë pjesëmarrjen, pavarësisht që nuk kemi marrë sqarime zyrtare pse është reduktuar lista nga bordi i FKK-së. Selektori zgjidhet për të treguar më shumë aftësi duke bërë përzgjedhjen me vizita apo ushtrime te përbashkëta me klube, por kjo ka ndodhur vetëm me një garë. Në këtë rast, Kampionati Shtetëror ka bërë përzgjedhjen. Që 2 vjet mund të them që 70 % të garave janë paguar nga klubet dhe vetë prindërit. Është dashur të na tregojnë se nëse ka mungesë të buxhetit, atëherë ne mund t’i dërgojmë me mënyrën tonë, ashtu siç kemi bërë edhe në shumë gara të tjera me herët”, thotë në kushte anonimiteti një trajner i një prej klubeve më të suksesshme në Kosovë.
Arsyetimi i FKK-së: Nuk kemi buxhet
I mendimit se në Evropian është dashur të shkojnë të gjithë kampionët është nënkryetari i FKK-së, Ismajl Fazliu.
“Mjete ka pasur vetëm për 18 sportistë dhe është kërkuar nga selektori të bëhet lista. Dhe është bërë lista, ndërsa më vonë është korrigjuar dhe është zgjeruar lista. Nuk ka pasur afat dhe nuk e kemi biseduar se ndoshta ka mundur të gjendet një modalitet se nëse nuk ka mjete, të paguajmë të gjithë së bashku nga një pjesë për të shkuar të gjithë, ose të bëhet me vetëfinancim. Selektorët i kanë përpiluar listat. Sigurisht që garuesit që janë në listën përfundimtare e meritojnë të jenë, por edhe pjesa që ka mbetur ka karateistë që e meritojnë. Kjo është bërë shpejt dhe nuk ka pasur afat. Unë jam për përfshirje sa më të madhe të garuesve, pasi ka dëshpërim nga disa garues. Unë kam qenë për të gjetur një modalitet, pasi ka pasur 35 kampionë dhe qëndrimi im ka qenë që të gjendet një modalitet dhe të shkojnë të gjithë. Në të ardhmen është mirë të gjendet një modalitet, në mënyrë që të gjithë kampionët të shkojnë në gara ndërkombëtare”, ka thënë Fazliu.
Në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK) thonë se nuk kanë buxhet për t’i dërguar të gjithë kampionët e kategorive.
“Siç kemi ne gara ndërkombëtare nëse do t’i dërgonim nga të gjitha kategoritë edhe 2 milionë euro buxhet të na jepte Ministria, nuk na dalin. Kështu Bordi ka vendosur t’i dërgojë sportistët me aq buxhet sa ka. I ka paraqitur për pjesëmarrje me listë të selektorëve. Vetëm aspekti financiar ka qenë, edhe ashtu kemi probleme financiare dhe ka vendosur ta zvogëlojë listën. 21 sportistë do të paraqiten në Evropian”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Nazmi Gashi.
Federata e Karatesë e Kosovës nga korriku i vitit 2023 u përball me ndarje të madhe. U krijuan dy grupe. Pasojat për ndarjen në dy grupe kanë qenë të mëdha. Federata e Karatesë e Kosovës humbi licencën. Si federatë pa licencë, FKK-ja humbi të drejtën e mjeteve të shumta financiare nga MKRS-ja e po ashtu edhe të sponsorëve.