Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, skuadra e kaltër e mposhti Trepçën me rezultat 67:65.

Ndeshja kishte fund dramatik dhe u vendos në aksionet e fundit. Në fund dallimi ishte dy pikë në të mirë të Prishtinës dhe kjo nënkuton që finalistja do të përcaktohet në ndeshjen e kthimit në Mitrovicë.

Drama as që është menduar pas çerekut të parë që përfundoi 25:3 për Prishtinën. Pra mitrovicasit i realizuan vetëm tri pikë për dhjetë minuta lojë.

Më pas skuadra mysafire nisi kthimin. Çerekun e dytë Trepça e fitoi 17:14, ndërsa të tretin 29:17. 

Në çerekun e katërt Prishtina mbajti epërsi prej mbi dhjetë pikësh, por Trepça nuk u dorëzua dhe barazoi në 65:65, me treshen e Drilon Hajrizit 1:46 minuta para fundit. 

Më pas të dy skuadrat i humbën nga dy aksione, kurse qendra Rashid Mahalbashiq i realizoi dy gjuajtje të lira për 67:65, 27 sekonda para fundit.

Tekele Cotton i Trepçës provoi për tri pikë në fund nga një pozitë e vështirë, por nuk qëlloi.

Me 13 pikë e 13 kërcime, Mahalbashiq ishte më i miri te Prishtina. Josh Nzeakor e përfundoi ndeshjen me 19 pikë e pesë kërcime. Ricky Tarrant i kishte 14 pikë e katër asistime, ndërsa Daniel Lekndreaj kontribuoi me tri pikë, dhjetë kërcime e gjashtë asistime.

Te Trepça, Drilon Hajrizi i realizoi 21 pikë e 12 kërcime. Mikaile Tmushiq i kishte 13 pikë e katër kërcime, ndërsa Larry Thomas realizoi 10 pikë, gjashtë kërcime, tri asistime e katër topa të rrëmbyer.