Golden Eagle Ylli e Sigal Prishtina kanë zhvilluar ndeshje thuajse plotësisht të barabartë. Rezultati ishte i barabartë në fund të secilit prej tre çerekëve të parë.

Por në fund Prishtina bëri shkëputje, kryesisht për shkak të gabimeve të Yllit e po ashtu dy gabimeve teknike të suharekasve. Dhe fitorja i takoi Prishtinës me rezultat 76:69.

Ndeshja e së dielës mbrëma i takoi xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Prishtina tani i ka 26 pikë, sa edhe Vëllaznimi, në mesin e tabelës. Ylli i ka 24 pikë në pozitën e gjashtë.

Daniel Lekndreaj kishte kontributin më të madh te Prishtina, sipas të dhënave statistikore. Ai ndeshjen e përfundoi me tetë pikë e 13 kërcime. Muhamedali Janjeva i kishte 12 pikë e gjashtë kërcime.

Rashid Mahalbashiq i shtoi 15 pikë e pesë kërcime, ndërsa më efikasi ishte Donte Clark me 20 pikë, katër kërcime e katër asistime. Jawachi Nzeakor i realizoi 12 pikë e gjashtë kërcime.

Malcolm Armstead i kishte 11 pikë, katër asistime e tri kërcime tek Ylli, ndërsa Lis Shohi realizoi nëntë pikë e tetë kërcime.

Jan Palokaj i realizoi 19 pikë e pesë kërcime, por mori një gabim teknik për reagim ndaj arbitrit, që kishte ndikim në rezultat.