Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova e kanë zhvilluar në Paris garën e kaluar individuale. Tre prej xhudistëve më të mirë në Kosovë, në kryeqendrën franceze kanë garuar në fund të korrikut të vitit të kaluar, në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Dhe pikërisht në Paris këta tre xhudistë bëjnë kthimin në gara individuale, pas pauzës më të gjatë se zakonisht.

Më 1 e 2 janar mbahet Grand Slami i Parisit, që është gara më e famshme dhe më prestigjioze e xhudos. E tillë vlerësohet për shkak të tifozërisë pasionante dhe njohëse të mirë të xhudos. Luftërat finale në Grand Slamin e Parisit zhvillohen zakonisht para të paktën 15 mijë shikuesve.

Në Grand Slamin e Parisit xhudistët kosovarë tradicionalisht janë shumë të suksesshëm. Këtë herë medaljet në Paris i kërkojnë Distria Krasniqi, Erza Muminoviq, Nora Gjakova, Dardan Cena e Akil Gjakova. Distria e Erza garojnë në kategorinë deri në 52 kilogramë, Nora në kategorinë deri në 57 kilogramë, ndërsa Akili e Dardani në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Aktualisht të paraqitur për të garuar në Paris janë 314 xhudistë nga 51 vende. Shifra mund të ndryshojë ndërkohë.

Distria është bartësja e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo në Lojërat Olimpike në Paris e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kg dhe natyrisht kërkon titullin e kampionit. Distria i ka tri medalje ari në Grand Slamin e Parisit. I ka edhe dy medalje të argjendta e dy të bronzta.
Nora është bartësja e tretë në kategorinë deri në 57 kilogramë. Ajo në Lojëra Olimpike u paraqit e lënduar dhe u ndal në luftën e parë. 

Vëllai i Norës, Akili, në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar përfundoi i pesti, duke iu afruar shumë pranë medaljes. Humbi në gjysmëfinale e më pas për vend të tretë. Akili e ka fituar Grand Slamin e Parisit që në vitin 2018, në njërin prej sukseseve më të mëdha në karrierën e tij. Vjet ishte i treti. Akili është bartësi i katërt.

Erza Muminoviq e Dardan Cena kërkojnë suksesin e parë në garat e nivelit Grand Slam, që janë prej më të vlerësuarave në xhudo.

Ekipi i Kosovës do të jetë pa dy prej xhudisteve më të mira, Laura Fazliun e Flaka Loxhën.

“Laura e Flaka kanë lëndime të vogla dhe nuk do të paraqiten në Paris. Por natyrisht se i kemi adutët për medalje”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Grand Slami i Parisit është gara e parë e vitit në Turin Botëror të Xhudos. Është kjo një seri garash të mëdha që zhvillohet gjatë gjithë vitit. 

Xhudistët elitarë të Kosovës kanë pasur pushim më të gjatë pas Lojërave Olimpike, për shkak të ngarkesës së madhe që kishin gjatë fazës kualifikuese për Olimpiadën e Parisit.