Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Azerbajxhanit në basketboll, Tahir Bakhshiyev, ka folur për përgatitjet e skuadrës për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror kundër Kosovës dhe Irlandës. Ai për “offsideplus.az” ka theksuar se Azerbajxhani është përgatitur mirë për ta mposhtur Kosovën. 

Kosova të enjten nga ora 19:30 luan në Prishtinë ndaj Azerbajxhanit. Është ndeshja e parafundit në kuadër të Grupit A të fazës së parë të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2027. Ndeshjen e fundit, Kosova po ashtu e luan në Prishtinë kundër Zvicrës të dielën.

“Kemi informacion të mjaftueshëm për ekipin e Kosovës. Ne i kemi parë videot e tyre. Ata kanë lojtarë të aftë në skuadrën e tyre dhe mbështeten shumë në gjuajtje. Ne kemi analizuar kundërshtarin dhe kemi përcaktuar taktikat që do të përdorim dhe si do të mbrohemi kundër tyre”, ka  thënë Bakhshiyev të mërkurën.

Një vit më parë, Kosova pësoi humbje nga Azerbajxhani në udhëtim me shifrat 87:77. 

Te Kosova kanë bërë thirrje për mbështetje masive. Përzgjedhësi i Azerbajxhanit ka folur edhe për atmosferën e zjarrtë që mund të jetë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Lojtarët e kombëtare sonë janë profesionistë dhe duhet të jenë gati për lojëra të tilla me presion të lartë. Natyrisht, avantazhi i fushës së shtëpisë dhe mbështetja e tifozëve do të funksionojnë në favor të Kosovës. Megjithatë, ne nuk duhet të fokusohemi në këtë. Duhet të përqendrohemi në lojën tonë”, është shprehur ai.

Pas katër xhirove, Kosova zë vendin e fundit në grup me pesë pikë, sa ka edhe Azerbajxhani në vendin e tretë.

Me tetë pikë grupit i prinë Zvicra, ndërsa Irlanda ka gjashtë pikë në vendin e dytë.

Nga tri grupet e këtij raundi parakualifikues tutje avancojnë fituesit dhe po ashtu përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve.