Në Saalbach të Austrisë të dielën përfundoi Kampionati Botëror i skijimit alpin. Në këtë ngjarje të rëndësishme të sportit kryesor dimëror, mori pjesë edhe Kosova. Madje me plot gjashtë skitarë.
Skitarët dhe skitaret e Kosovës garuan në sllallom të madh dhe në sllallom, por pa lënë ndonjë gjurmë. Nuk ka ndonjë avancim në rezultate, edhe nëse krahasimi bëhet me botërorët e kaluar.
Fillimisht, skitaret e Kosovës garuan në sllallom të madh. Lirika Deva e Arba Pupovci e përfunduan lëshimin e parë, ndërsa Kiana Kryeziu doli nga shtegu. Asnjëra nuk u kualifikua për lëshimin e dytë. Në plasmanin përfundimtar, sipas rezultateve zyrtare të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit, Lirika Deva ishte e 51-ta e Arba Pupovci e 63-ta.
Dy vjet më parë në Botërorin në Francë, skitaret e Kosovës po ashtu garuan vetëm në lëshimin e parë në sllallom të madh, pa u kualifikuar në të dytin. Kiana Kryeziu ishte e 71-ta në lëshimin e parë, Enxhi Sefaj e 86-ta e Arba Pupovci e 89-ta.
Në sllallom, në Botërorin e këtij viti në Austri, tri skitaret e Kosovës dolën nga shtegu në lëshimin e parë. Dy vjet më parë në Francë, Lirika Deva ishte e 53-ta, Enxhi Sefaj e 65-ta e Arba Pupovci e 75-ta. Asnjëra nuk ishte kualifikuar për lëshimin e dytë.
Federata skitare e Kosovës ka shkruar për “performancë të fortë” të skitarëve në garën kualifikuese në sllallom të madh.
Drin Kokaj u rendit i 62-ti, Klos Vokshi i 70-ti, ndërsa Arbi Pupovci nuk e përfundoi lëshimin e parë.
Kokaj u paraqit edhe në garën kryesore të sllallomit të madh, për shkak të rregullës që secili vend të përfaqësohet me të paktën një skitar.
E përfundoi lëshimin e parë, por nuk u kualifikua për lëshimin e dytë. Në plasmanin përfundimtar ishte i 66-ti.
Dy vjet më parë, Klos Vokshi u rendit i 77-ti e Drin Kokaj i 80-ti.
Në sllallom, të dielën garoi Drin Kokaj. Ai doli nga shtegu në lëshimin e parë, pas vetëm disa portave. Kokaj doli nga shtegu edhe të shtunën në garën kualifikuese. Por siguroi paraqitjen në garën kryesore, pasi, sipas federatës kosovare, kishte më shumë pikë se dy skitarët e tjerë të vendit.
Të shtunën në garën kualifikuese, Klos Vokshi u rendit i 56-ti, ndërsa Arbi Pupovci ishte i 73-ti.
Dy vjet më parë, skitari i Kosovës, Arbi Pupovci kishte dalë nga shtegu në garën e sllallomit.
Skitarët e Kosovës sërish dolën shpesh nga shtegu, ndërsa edhe kur përfunduan garat ishin larg pozitave që siguronin kualifikimin për lëshimin e dytë. Diferenca me skitarët më të mirë vazhdon të jetë shumë e madhe.
Asnjë skitar aktual i Kosovës nuk po u afrohet rezultateve që i kishte Albin Tahiri, ish-skitari i Kosovës. Ai në Botërorin e vitit 2021 e ka të evidentuar vendin e 32-të në sllallom dhe vendin e 37-të në sllallom të madh. Janë dy rangimet më të mira të Tahirit në tre botërorë sa mori pjesë për Kosovën. Tahiri madje ishte i kualifikuar për lëshimin e dytë në të dy disiplinat.
Federata Skitare e Kosovës nuk ka mbajtur ende asnjë garë vendore në këtë stinor. Pra aktivitetet e para për këtë stinor garues ishin ndërkombëtare, festivali për të rinj dhe Botërori. Edhe në festival nuk është shënuar ndonjë rritje.
Nga Botërori në Saalbach, skitarët marrin përvojën.
“Ky kampionat shërbeu si një përvojë e vlefshme për sportistët tanë, duke përballuar sfida të nivelit më të lartë të skijimit botëror”, ka shkruar FSK-ja.
Aktualisht skitarët e Kosovës nuk e kanë nivelin e skitarëve që përfaqësojnë Shqipërinë. Italiania Lara Colturi, që garon për Shqipërinë, ishte e shtata në sllallom të madh. Në garën kualifikuese në sllallom, të shtunën, Denni Xhepa i Shqipërisë u rendit i katërti. Edhe Xhepa jeton në Itali.