Kosova është larguar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) për t’u bërë pjesë e federatës së re botërore, “World Boxing”. Dhe prej të martës Kosova, përkatësisht Federata e Boksit e Kosovës, është zyrtarisht anëtare e “World Boxing”.
Është Bordi Ekzekutiv i “World Boxing” që mori vendimin për pranimin e gjashtë vendeve të reja: Kosovës, Sirisë, Hungarisë, Malavit, Estonisë dhe Zvicrës.
Tani “World Boxing” i ka 78 vende anëtare.
“Është plotësuar njëri nga kriteret bazë për përfshirjen olimpike, që një sport duhet të praktikohet në të paktën 75 vende, në katër kontinente”, shkruan në njoftimin e “World Boxing”.
Kjo organizatë e ka përkrahjen e plotë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Aktualisht boksi nuk është në program për Lojërat Olimpike të vitit 2028, por gjasat janë të mëdha që në javët e ardhshme IOC-ja ta njohë organizatën “World Boxing” dhe ta kthejë boksin në programin olimpik.
Federatës së Boksit të Kosovës i është kërkuar, ndonëse jo zyrtarisht, largimi nga IBA dhe kalimi në “World Boxing”. Këtë kërkesë e bëri Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi e njëjta gjë u kërkua me ngulm nga IOC-ja.
Për IOC-në secili vend që largohet nga IBA-ja dhe kalon në “World Boxing” është fitore e madhe.
Ka kohë që IOC-ja nuk e njeh IBA-n, organizatën tradicionale të boksit amator, për shkak të qeverisjes jo të mirë. President i IBA-s është rusi Umar Kremlev. Rrjedhimisht ndikimi rus në këtë asociacion është shumë i madh.
“Është një moment shumë domethënës për ‘World Boxing’ dhe unë jam i kënaqur të mirëpres gjashtë anëtarët tanë më të rinj. Falënderoj secilin prej tyre për vendimin për t’iu bashkuar misionit tonë për të siguruar që boksi të mbetet në zemër të lëvizjes olimpike. Është kënaqësi e veçantë të mirëpresim Hungarinë si anëtaren e 75-të, pasi kjo do të thotë se ‘World Boxing’ ka arritur një nga kriteret për përfshirjen e një sporti në Lojërat Olimpike”, ka thënë presidenti i ‘World Boxing’, Boris van der Vorst.
“World Boxing” është formuar në prill të vitit 2023, por vetëm pas Lojërave Olimpike të Parisit nisi të rritet hovshëm. Natyrisht, me mbështetjen e plotë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Boksi amator njihet ndryshe edhe si boksi olimpik. Dhe pa pjesëmarrje në Lojëra Olimpike do të zbehej shumë. Kosova në dy Olimpiadat e kaluara është prezantuar me Donjeta Sadikun. Ka shpresë se ndonjë boksier kosovar do të kualifikohet edhe për ”Los Angeles 2028”. Për shkak të largimit nga IBA-ja, Kosova do të mbetet jashtë ngjarjeve që i organizon kjo organizatë, ndër të tjera, edhe nga Botërori e Evropiani. Por është çmim që duhej paguar për të ruajtur raportet me IOC-në dhe për të kontribuuar që boksi të mbetet sport olimpik.