Skitaret e Kosovës, Lirika Deva, Arba Pupovci dhe Kiana Kryeziu, nuk kanë arritur sukses në sllallom të madh, në Kampionatin Botëror të skijimit alpin në Saalbach të Austrisë.
Që të tria garuan të enjten dhe asnjëra prej tyre nuk u kualifikua për lëshimin e dytë.
Deva u rendit në vendin e 51-të, Pupovci në pozitën e 63-të, ndërsa Kryeziu nuk e përfundoi lëshimin e parë.
Federata Skitare e Kosovës ka shkruar se ekipi do të ketë tjetër mundësi për përfaqësim më të mirë.
“Ekipi ynë do të ketë një tjetër mundësi për ta përfaqësuar Kosovën me krenari më 15 shkurt, kur vajzat tona garojnë në disiplinën e sllallomit. Ju dëshirojmë shumë fat dhe suksese në këtë sfidë të radhës”, ka shkruar Federata Skitare e Kosovës të enjten.
Ndërkohë, po të enjten në konkurrencën e meshkujve, Andi Pupovci e ka mbyllur garimin në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj në Bakuriani të Gjeorgjisë.
Ai garoi në disiplinën e sllallomit.
“Në lëshimin e parë doli i 53-ti, ndërsa në lëshimin e dytë ishte i pafat, duke dalë nga shtegu”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës në Facebook.
Të premten në disiplinën e sllallomit garon Klara Sefaj.