Të hënën në Kosovë u festua për ditën e pavarësisë. Festë te një ekip përfaqësues i Kosovës presin të kenë edhe të enjten e të dielën. 

Janë basketbollistët e Kosovës që i zhvillojnë dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit A të fazës së parë të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2027. 

Ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe Zvicrës, “Dardanët” do t’i zhvillojnë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Që të dyja ndeshjet luhen nga ora 19:30.

Për ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe Zvicrës, basketbollistët e Kosovës kanë bërë thirrje për përkrahje masive.

Ftesë për t’i mbështetur basketbollistët ka bërë edhe përzgjedhësi francez, Jean-Denys Choulet.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Për fat të mirë nuk kemi asnjë lojtar të lënduar. Jemi më mirë se herën e kaluar. Sigurisht se kemi dy ndeshje të mëdha që na presin dhe na duhen ato dy fitore, pasi kishim një ndeshje të dobët ndaj Zvicrës. Kishim një udhëtim të tmerrshëm. Gjërat shkuan keq për ne dhe shpresojmë të kemi ndeshje të mira, pasi na duhen fitoret ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës. Sinqerisht nuk ishim me fat në dy ndeshjet e para dhe shpresoj të kemi vetëm pak fat kësaj radhe”, ka thënë Choulet.

Pas katër xhirove, Kosova zë vendin e fundit në grup me pesë pikë, sa ka edhe Azerbajxhani në vendin e tretë.

Me tetë pikë grupit i prinë Zvicra, ndërsa Irlanda ka gjashtë pikë në vendin e dytë.

Nga tri grupet e këtij raundi parakualifikues tutje avancojnë fituesit dhe po ashtu përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve.

Kosovës i janë kthyer katër basketbollistë pas mungesës në grumbullimin e kaluar. Janë kthyer Divine Myles, Drilon Hajrizi, Valon Bunjaku dhe Musab Mala, të cilët munguan për shkak të lëndimeve.
Hajrizi vetëm të hënën iu bashkua Kosovës në grumbullim. 

“Po më pëlqen fakti se secili lojtar po e di rëndësinë e ndeshjeve. Secili ka ardhur në këtë grumbullim me seriozitetin më të madh, gjë që është shumë e rëndësishme. Po mundohemi që gjejmë pikat e dobëta të kundërshtarëve dhe t’i sulmojmë aty. Me punën dhe seriozitetin e po ashtu edhe me ndihmën e tifozëve uroj të dalim me rezultat pozitiv nga këto dy ndeshje”, ka thënë Hajrizi.

Edhe kapiteni Dardan Berisha përgëzon punën dhe motivin që kanë lojtarët para ndeshjeve me Azerbajxhanin dhe Zvicrën.

“Nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi pak kohë pasi kemi pasur angazhime shkaku i ndeshjeve për kupë dhe kampionat. Kemi nisur të dielën përgatitjet dhe të hënën u kompletuam dhe shpresoj që të marrim maksimumin. Ftoj ‘Dardanët’ për përkrahje, pasi për ne janë shumë të rëndësishëm. Nuk do të jetë lehtë. Kemi luajtur ndaj tyre, kemi humbur, por uroj të fitojmë këto dy ndeshje që i luajmë si vendës”, ka thënë Berisha.

Basketbollistët e Kosovës janë kritikuar për paraqitje të dobët në ndeshjet e kaluara.

Në nismë të kampanjës fituan ndaj Irlandës me rezultat 83:76. Ajo u ndeshje u zhvillua në shkurt të vitit të kaluar. Po një vit më parë pësuan nga Azerbajxhani në udhëtim me shifrat 87:77. 

Në nëntor, Kosova humbi nga Zvicra me rezultatin e thellë, 75:43, dhe më pas nga Irlanda me rezultat 91:85. Kështu, gjasat për avancim nuk janë të mëdha.