Demonstron për xhudistët, përcjell me vëmendje lëvizjet e tyre dhe bën korrigjimet e nevojshme. Konsultohet me kryemjeshtrin Driton Kuka dhe vazhdon me demonstrime, vëzhgim e korrigjime. Lëviz herë në njërën anë e herë në anën tjetër të sallës në Qendrën Nacionale të xhudos në Pejë.
Braziliani 44-vjeçar, Pedro Guedes, ka nisur furishëm punën në ekipin e Kosovës në xhudo. Ai është njëri prej asistentëve të kryetrajnerit të Kosovës, Driton Kuka. Në Pejë është vendosur para dhjetë ditësh, ndërsa angazhimi i tij u bë i mundur falë programit të Qeverisë së Kosovës, Supersportistët, që për qëllim ka ngritjen e mëtejme të nivelit në sportet individuale.
Guedes është trajner i konfirmuar, në kulm të karrierës dhe sjellja e tij në Kosovë nuk ishte e thjeshtë. Si xhudist ai ka dy tituj të Brazilit, një titull Pan-Amerikan me ekipin e Brazilit, ndërsa ka fituar medalje edhe në gara të mëdha, duke përfshirë Grand Slamin e Tokios. Si pjesë e ekipit të Brazilit ishte nënkampion botëror.
Si trajner, përvojën e parë ndërkombëtare e kishte në Slloveni. Ishte asistent i trajnerit nacional për dy vjet. Më pas për pesë vjet punoi në Kanada, ku ishte trajner nacional. Ndër të tjera e ka ngritur njërën prej xhudisteve më të mira kanadeze, Jessica Klimkait.
Në vitin 2017 nisi punën në Gjermani. Fillimisht ishte trajner i Gjermanisë për grupmoshën U21. Pas Lojërave Olimpike të Tokios, që u mbajtën në vitin 2021, e deri në fund të vitit 2024 ishte kryetrajner i ekipit nacional të xhudistëve të Gjermanisë. Është i pari jogjerman që ka drejtuar ekipin olimpik të Gjermanisë në xhudo.
Përvojën e tij, Guedes tani e ka vënë në dispozicion të Kosovës. Kosova e ka xhudon shumë të zhvilluar, ndërsa Guedes beson fuqishëm se do të kontribuojë për rritje të mëtejme.
Guedes, që gjatë qëndrimit në Brazil angazhohet në programe të ndryshme sociale, ka dhënë një intervistë për KOHËN, pasi nisi punën në Kosovë.
KOHA: Cilat janë përshtypjet tuaja të para pas fillimit të punës në Kosovë?
Pedro Guedes: Përshtypjet e para janë që xhudoja në Kosovë është e zhvilluar mirë. Ka njerëz kompetent të përfshirë në të gjitha repartet dhe një vizion të qartë afatgjatë për zhvillimin e mëtejmë të xhudos.
Çka e karakterizon xhudon në Kosovë në krahasim me vendet tjera?
Guedes: Ka shumë të bëjë me etikën e punës, disiplinën dhe aftësinë për të tejkaluar pengesat. Ka dëshirë për të fituar dhe për të përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Cili mendon se është sekreti i suksesit të xhudos kosovare?
Guedes: Përkushtimi dhe etika e punës e trajnerëve, sportistëve dhe gjithë të tjerëve të përfshirë në sistem.
A keni ndryshuar mendim për xhudon e Kosovës pasi keni nisur punën këtu?
Guedes: Mendimi im nuk ka ndryshuar. Por përfundimisht kam një pasqyrë më të mirë për sistemin e xhudos në Kosovës dhe një pamje më të gjerë se si funksionon çdo gjë këtu.
Në aspektin sportiv, cili është motivi për të punuar në Kosovë?
Guedes: Gjithnjë e sfidoj veten për fillime të reja. Pas pesë vjetësh në Kanada dhe tetë vjetësh në Gjermani, ku isha kryetrajner i ekipit nacional të meshkujve, e vlerësoj këtë punë si interesante dhe po ashtu si motivim të ri për karrierën time. Të punoj përkrah një trajneri shumë të suksesshëm si Toni Kuka po ashtu më motivoj që të pranoj ftesën dhe ta përkrahi ekipin e Kosovës.
Cilat janë planet dhe synimet tua në Kosovë?
Guedes: Angazhimi kryesor është të asistoj Tonin në planin e tij afatgjatë, të përmirësojmë nivelin e top-xhudistëve aktualë dhe të zhvillojmë gjeneratën e re të sportistëve të Kosovës. Synimi kryesor është të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të kemi paraqitje konstante në nivelin ndërkombëtar. Një gjë tjetër e rëndësishme është ngritja e nivelit të ekipit të meshkujve.
Nga Gjermania në Kosovë. A keni pasur dyshime për të pranuar ofertën?
Guedes: Nuk kisha dyshime, por më është dashur ta mendoj gjatë këtë vendim, pasi kisha një ftesë për një projekt nga një tjetër shtet që po ashtu e ka xhudon shumë të zhvilluar. Por në fund, puna me Tonin dhe përkrahja për ekipin e Kosovës ishte vendimtare që të marr vendimin për të ardhur në Kosovë.
Keni punuar në Slloveni, Kanada e Gjermani. Cili është imazhi i xhudos kosovare në botë?
Guedes: Është imazh i një ekipi të ri, serioz dhe shumë të suksesshëm, me etikë të fortë pune, të udhëhequr nga njerëz që e duan xhudon dhe që duan ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çka duhet sportet tjera në Kosovë të mësojnë nga xhudoja?
Guedes: Sërish besoj se etika e punës është pika kryesore dhe po ashtu serioziteti dhe përkushtimi i të gjithë të përfshirëve në sistemin e xhudos. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet kuptimi i performancës së lartë në sport, që ka rëndësi të madhe për zhvillimin e sportistëve dhe rrjedhimisht në paraqitjen në nivel ndërkombëtar.