Emri i njohur i futbollit shkodran, Edi Martini, është trajner i ri i Trepçës së Mitrovicës.
Klubi mitrovicas, që po e synon kthimin në Superligën e Kosovës në futboll, të dielën e zyrtarizoi 50-vjeçarin. Martini ka karrierë të pasur si lojtar e si trajner, por jo të gjithë pajtohen me emërimin e tij në postin e trajnerit te klubi me nam nga Mitrovica.
Ka kundërshtime lidhur me një deklaratë të Martinit për organizimin e përbashkët të Evropianit U21 të vitit 2027 nga Shqipëria dhe Serbia. Ai ka përkrahur këtë organizim të përbashkët, ndërkohë që në Kosovë kundërshtimet ishin dhe vazhdojnë të jenë të shumta.
Tifo-grupi mitrovicas, Torcida, ka lënë të kuptohet se nuk pajtohet me emërimin e Martinit në postin e trajnerit. Ky grup tifozësh, që përkrah klubet me emrin Trepça, ka publikuar postimin e bërë nga Martini më 4 shkurt dhe ka shkruar “@KF Trepça ??”.
Më 4 shkurt, pasi UEFA e zyrtarizoi Evropianin Shqipëri – Serbi, Martini shkroi: “Erdhi dita që të organizojmë një Kampionat Evropian të 21-vjeçarëve në Shqipëri. Një superarritje, jo vetëm në aspektin sportiv që jemi kualifikuar si vend organizator, por edhe në aspektin ekonomik ku Shqipëria do të jetë kryefjala e të gjithë Evropës për një muaj me radhë. Asnjërit nga ne nuk na ndryshon mendimin për ta, por të organizosh një finale të Kampionatit Evropian është një ëndërr që e shikon shumë rrallë. Bravo dhe sukses ekipit tonë kombëtar U21, suksese Alban Bushi”, shkroi Martini në rrjetet sociale.
Ai la të kuptohet se organizimi i përbashkët i Evropianit nuk ia ndryshon mendimin për Serbinë. Por deklarata e tij megjithatë po sjell ndërlikime.
Martini është prej emrave më të mëdhenj në histori të Vllaznisë. Ka luajtur për këtë skuadër në periudha të ndryshme, për shumë vjet. Ishte edhe tek Eintracht Frankfurti në Gjermani dhe te skuadra të tjera në Shqipëri. Për Shqipërinë i ka luajtur dy ndeshje, ndërsa si trajner ka punuar te Luftëtari, Laçi, Vllaznia, Teuta e Durrësit dhe tani është te Trepça.
Deri më tani Trepçën e ka drejtuar Emin Baliqi. Pas humbjes së pësuar të shtunën nga Istogu, Baliqi dha dorëheqje. Menjëherë të dielën klubi mitrovicas e bëri zyrtar angazhimin e Edi Martinit.
“KF Trepça ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me trajnerin Edi Martini, i cili do të marrë drejtimin e skuadrës sonë. Me një karrierë të pasur dhe një filozofi të lojës, Martini sjell përvojë, disiplinë dhe ambicie për një ekip të fortë dhe konkurrues. I urojmë mirëseardhje dhe suksese në këtë rrugëtim të ri”, shkruan në njoftimin e klubit mitrovicas.
Trepça është riorganizuar verën e kaluar, duke siguruar stabilitet financiar e organizativ, pas shumë vjetësh plot me probleme. Synon kthimin në Superligë, por ka mbetur prapa në luftë për vendin e parë në Grupin A të Ligës së Parë. Trepça renditet e treta me 26 pikë, sa i ka edhe Trepça 89. Drenica udhëheq me 34 pikë, ndërsa Vëllaznimi është i dyti me 30 pikë.