Federata e Futbollit të Kosovës ka zyrtarizuar pranimin e ekipit të KF Policia e Kosovës në garat e futsalit, duke e konsideruar këtë një hap të madh për zhvillimin e mëtejshëm të sportit në vend.
Komisioni i Futsalit pran FFK-së theksoi se ky vendim është dëshmi e qartë se futsali në Kosovë po rritet dhe po zgjerohet çdo vit, duke tërhequr gjithnjë e më shumë institucione, organizata dhe komunitete.
“Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës jo vetëm që i jep garës një dimension të ri, por gjithashtu sjell vlera të forta të disiplinës, përkushtimit dhe frymës së ekipit – vlera që janë thelbësore si në sport, ashtu edhe në jetën e përditshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
FFK është shprehur e bindur se ky ekip do të japë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e futsalit dhe do të shërbejë si shembull i bashkëpunimit mes sportit dhe institucioneve shtetërore.
Në fund, Federata nënvizoi se së bashku me KF Policinë e Kosovës do të vazhdohet ndërtimi i një futsali më të fortë dhe më të dashur për të gjithë sportdashësit.




























