Bashkimi ka debutuar me humbje në fazën grupore të “FIBA Europe Cup”. Të enjten mbrëma, ashtu si pritej, nënkampioni i Kosovës u mposht në Zagreb nga skuadra e madhe kroate, Cibona.

Ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Drazhen Petroviq”, Cibona e fitoi me rezultatin 93:79.

Ekipi i udhëhequr nga trajneri Igor Jovoviq e nisi mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë 22:18. Më pas doli në pah eksperienca e basketbollistëve të Cibonës, që fituan 29:19 në periudhën e dytë dhe 27:15 në çerekun e tretë. Kjo edhe e bëri dallimin në fitore, pasi skuadra e portokalltë pavarësisht se e fitoi 10 minutëshin e fundit 23:19, nuk e shmangu disfatën me 14 pikë dallim.

Epërsia më e lartë e klubit kroat shkoi deri në 20 pikë.

Kyan Anderson ishte më i miri te Bashkimi me 22 pikë, një kërcim, një asistim e dy topa të vjedhur. Edhe Jan Palokaj pati lojë të mirë me 16 pikë, një kërcim, katër asistime e një top të vjedhur. Pikë dyshifrore te Bashkimi pati vetëm edhe Isaiah Cousins, 15 gjithsej. Ai kontribuoi edhe me tri kërcime e dy asistime.
Për Bashkimin është paraqitja e parë në skenën kontinentale.

Në raundin kualifikues të “FIBA Europe Cup” u ndal pas dy ndeshjeve nga Anwili i Polonisë, por avancoi në fazën grupore si njëra prej skuadrave më të mira humbëse.

Në grup me Bashkimin janë edhe Dijoni francez dhe Reggiana italiane. Reggiana e mposhti të enjten Dijonin në ndeshjen e parë, 96:88.

Në stinorin e rregullt të “FIBA Europe Cup” garojnë plot 40 skuadra, ndërsa vetëm fituesit e dhjetë grupeve avancojnë në raundin e dytë.

Tutje kalojnë edhe gjashtë ekipet më të mira të pozitës së dytë nga dhjetë grupe sa janë në total.
Në fazën grupore të kësaj gare është edhe Trepça, kampionia e Kosovës.

Trepça e humbi ndeshjen e parë në Grupin F të mërkurën mbrëma, në udhëtim te PAOK-u grek.
Në grup me Trepçën janë edhe Braunschweigu grek dhe Anwili polak. PAOK-u e Braunschweigu i prijnë Grupit F pas xhiros së parë.