Presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, ka folur në lidhje me tërheqjen e Lamine Yamal nga Kombëtarja e Spanjës, një vendim që ka shkaktuar pakënaqësi te “La Roja” për shkak të trajtimit mjekësor që po i bëhej 18-vjeçarit.
Laporta siguroi të mërkurën se qëllimi i klubit është që Lamine Yamal të jetë i disponueshëm për Barcelonën, duke theksuar se shërbimet mjekësore të Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF) ishin informuar për trajtimin që lojtari kishte kryer.
Në një intervistë për Catalunya Ràdio, kreu i Barcelonës dha versionin e tij për mënyrën se si klubi veproi pasi futbollisti nga Mataró iu nënshtrua trajtimit mjekësor të hënën, gjë që detyroi trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, ta tërhiqte lojtarin nga dy ndeshjet e fundit të fazës kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
“E njoftuam (RFEF) sapo morëm vesh. Kur mjeku që e trajtoi na tha se kishte nevojë për dhjetë ditë pushim, e informuam menjëherë Kombëtaren. Ne i respektojmë të gjitha palët e përfshira dhe nuk përfshihemi në polemika. Përpiqemi t’i trajtojmë lojtarët tanë me ritmin që na përshtatet neve,” shpjegoi Laporta.
Versioni i tij bie ndesh me atë të RFEF, e cila në një deklaratë shprehu “befasi” dhe “pakënaqësi” për “trajtim invaziv me radiofrekuencë” të cilit iu nënshtrua lojtari.
“Të hënën erdhi doktori (Ernest Schilders), i cili është një specialist i njohur. E ekzaminon atë ditën e njëjtë dhe na informoi për trajtimin, dhe gjithçka ka shkuar mirë. Ne duam që Lamine të jetë në dispozicion të klubit,” shtoi Laporta, i cili beson se mungesa e lojtarit nga lagjja Rocafonda nuk do ta dëmtojë Kombëtaren, pasi ajo është “në rrugën e duhur” për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
“Në këtë aspekt,” shtoi ai, “ne po bëjmë atë që duhet të bëjmë në interes të Barcelonës.”
I pyetur për stilin e jetës së yllit të Barcelonës, Laporta lavdëroi pjekurinë e Lamine Yamal, duke e falënderuar që “vazhdon të luajë” pavarësisht dëmtimit në ijë.
“Kjo tregon përkushtimin e tij ndaj Barçës dhe përpjekjen e tij. Lamine është një gjeni, dhe ne jemi me shumë fat që e kemi në skuadër. Duhet ta mbrojmë. Ai ende nuk ka arritur kulmin e tij, dhe megjithatë tashmë është lojtari më i mirë në botë në pozicionin e tij,” përfundoi Laporta.



























