Kosova e Zvicra luajtën 1:1 në “Fadil Vokrri” dhe i mbajtën pozitat në tabelë që i kishin para ndeshjes të së martës mbrëma.
Ashtu si pritej, Zvicra u kualifikua në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, ndërsa Kosova do të luajë në plejofin për kualifikim në Botëror. Për Zvicrën është vetëm kualifikimi i radhës në një ngjarje të madhe futbolli. Për Kosovën është sukses historik – për herë të parë do të luajë në plejof për kualifikim në Botëror.
Kishte zhvillime interesante e të papritura në ndeshjen e zhvilluar në fushën e rrëshqitshme e të vështirë në stadiumin në Prishtinë.
Pa nisur ndeshja u ndezën fishekzjarrë, me gjasë për suksesin e Kosovës në kampanjën kualifikuese. Ishte shenjë që kualifikimi në plejof vlerësohej sukses maksimal dhe realizim i synimeve. Për kualifikim direkt në Botëror, Kosovës të martën i duhej fitorja 6:0. Por një rezultat i tillë nuk ishte as afër.
Pak pasi nisi ndeshja nisën fishkëllimat e tifozëve. Dhe ato u dëgjuan sa herë që kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, e kishte topin në pronësi. Dukej të ishte reagim i tifozëve për një deklaratë të Xhakës lidhur me vendimin e Leon Avdullahut e Albian Hajdarit për të luajtur për Kosovën. Xhaka kishte thënë se Hajdari e Avdullahu nuk ishin pranë ekipit startues të Zvicrës. Deklarata u interpretua në mënyra të ndryshme dhe solli revoltë te tifozët e Kosovës.
Avdullahu e Hajdari nuk ishin në fushë e madje as në stolin e rezervistëve. Selektori Franco Foda i la të lirë, pasi rrezikonin që me kartonë të tjerë të mungonin në plejofin për kualifikim në Botëror, që zhvillohet në mars.
Fishkëllimat ndaj Xhakës ishin thuajse zhvillimi i vetëm në pjesën e parë. Veldin Hoxha kishte një goditje pak të rrezikshme për Kosovën, ndërsa Vedat Muriqi kishte një goditje të pasaktë me kokë. Zviceranët provuan vetëm në minutat e parë, duke shfrytëzuar rrëshqitjen e lojtarëve të Kosovës.
Rezultati mbeti 0:0.
Ai ndryshoi me të nisur pjesa e dytë.
Ruben Vargas e kaloi Zvicrën në epërsi 1:0 që në minutën e 47-të.
Në minutën e 63-të Baton Zabërgja u aktivizua në vend të Veldin Hoxhës, ndërsa Edon Zhegrova në vend të Fisnik Asllanit. Më pas rastin e fitoi edhe Ilir Krasniqi, që në minutën e 71-të e zëvendësoi kapitenin Amir Rrahmani.
Dhe në minutën e 74-t rezultati u barazua në 1:1. Florent Muslija shënoi me gjuajtje mjeshtërore nga distanca.
Kosova më pas e kërkoi golin e fitores, por pa ia dalë.
Te Zvicra u aktivizua edhe Andi Zeqiri, që po ashtu u fishkëllye nga tifozët.
Zvicra e fitoi Grupin B me 14 pikë dhe mund të fillojë me përgatitje për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. Kosova e përfundoi garën në grup me 11 pikë në pozitën e dytë. Tani e pret me shumë interes shortin e plejofit që tërhiqet të enjten nga ora 13:00. Më 26 mars do ta luajë në gjysmëfinale të plejofit, ndërsa shpresat janë se do të sigurohet finalja e plejofit, që zhvillohet më 31 mars. Vetëm katër përfaqësueset që fitojnë finalet e plejofit do të kualifikohen në Botëror.


























