Kosova dhe Shqipëria tashmë do ta kenë një ligë të përbashkët të basketbollit që do të njihet si “Liga Unike”.

Pra, këtë të enjte në Tiranë do të firmoset marrëveshja historike për ligën e përbashkët të basketbollit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, shkruan “VAR Kosova”.

“Të enjten, më 10 shtator, ora 19:00 në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE”.