Përkundër përgatitjeve të bëra me kohë nga organizatorët, Federata e Boksit e Kosovës, njofton se Turneu Ndërkombëtar “Lah Nimani”, nuk merr leje për t’u zhvilluar më datat 19 dhe 20 shtator.
FBoxK bën të ditur se Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit nuk ka dhënë leje duke i hedhur përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vend
“FBoxK ka bërë kërkesë më 31 gusht 2020 në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, për të marrë lejen e organizimit të turneut, gjithnjë duke zbatuar me përpikëri protokollet përkatëse të dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar Shëndetësor (IKSHPK), në lidhje me pandeminë COVID-19”, thuhet në njoftim.
“Përkundër pritjeve dhe kontakteve të vazhdueshme, MKRS nuk ishte në gjendje të na garantonte lejen, duke hedhur përgjegjësinë në MSH dhe IKSHPK, për çka detyrohemi për herë të tretë të mos e mbajmë turneun ndërkombëtar “Lah Nimani”.”.
Në këtë turne ishin të paraparë të vijnë sportistë nga shtetet fqinje si: Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.