Ka nisur shpërndarja e mjeteve financiare nga pakoja emergjente e ndarë ditë më parë nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në këtë kohë të krizës që e ka shkaktuar përhapja e pandemisë COVID-19.
Përfitues të kësaj pakoje financiare emergjente janë futbollistët dhe stafi teknik i klubeve të Kosovës të të gjitha rangjeve.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka konfirmuar për Kohën Ditore se mjetet tashmë kanë nisur të shpërndahen nëpër xhirollogaritë e futbollistëve.
Sipas FFK-së, këto mjete janë të destinuara ekskluzivisht për futbollistët.
“Kanë nisur të shpërndahen tri ditë më parë, por ato do të derdhen në xhirollogaritë e lojtarëve sipas dërgesave të listave nga klubet”, ka thënë Ademi.
Në bazë të kësaj pakoje të FFK-së, për klubet e Superligës është caktuar se do të ndihmohen 35 persona me shumën prej 350 eurosh, të Ligës së parë 30 persona me shumë prej 200 eurosh, të Ligës së Dytë 25 persona me shumën 150 euro dhe të Ligës së Tretë 20 persona me shumën prej 100 eurosh.