Tetë lojtarë të Premier Leagues nuk do të kenë të drejtë të luajnë për klubet e tyre këtë fundjavë, pasi autoritetet e futbollit brazilian aktivizuan rregullin e FIFA-s që i ndalon të luajnë.
Brazili e ka bërë një gjë të tillë pasi Premier League i ndaloi lojtarët të udhëtonin drejt vendeve që janë në listë të kuqe, për duelet në nivel përfaqësuesesh.
Kjo gjë është vendosur nga elita e futbollit anglez pasi ata do të mungonin në disa ndeshje pas rikthimit, për shkak të izolimit 10 ditor pas kthimit nga ato vende. Kështu janë rregullat e vendosura nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Liverpooli, Manchester City, Chelsea, Manchester Unitedi dhe Leeds Unitedi do të jenë ekipet e prekura.
Treshja e Liverpoolit, Alisson, Fabinho dhe Roberto Firmino, Ederson dhe Gabriel Jesus të Manchester Cityt, Thiago Silva i Chelseat, Fred i Manchester Unitedit dhe Raphinha i Leeds Unitedit, do t’u mungojnë ekipeve të tyre këtë javë.
Brazili ka bërë përjashtim për sulmuesin e Evertonit, Richarlisonin, dhe i është lejuar atij të luajë kundër Burnleyt të hënën, për shkak se klubi e lejoi 24-vjeçarin të paraqitej në Lojërat Olimpike të Tokios.



























