Goli i shënuar nga Nedim Bajrami në “San Siro” kundër Interit në Kupën e Italisë nuk ishte i pari gol shqiptar ndaj zikaltërve dhe me shumë mundësi nuk do të jetë as i fundit. Shqiptarëve iu ka ecur gjithmonë ndaj skuadrës nga Milano dhe historia ka treguar që kanë gjetur shpesh rrugën e rrjetës.
Goli i Nedim Bajramit ishte shumë i veçantë, sepse edhe asisti erdhi prej këmbëve të Kristian Asllanit, një tjetër lojtari shqiptar që është tek Empoli. Golashënuesi më i mirë shqiptar në portën e skuadrës nga Milano është Naim Kryeziu. Në 12 ndeshje të luajtura, ai e shndërroi ekipin zikaltër në “viktimën” e preferuar duke i shënuar 5 gola.
Edhe Riza Lushta ka arritur të shënojë 3 herë ndaj Interit, ndërsa Loro Boriçi ka përqindje të lartë realizueshmërie. Në një ndeshje ka gjetur rrugën e rrjetës. Deri këtu ishim duke folur për 3 legjenda të futbollit shqiptar që kanë bërë histori në Serinë A, por edhe epoka moderne ka sjellë gola shqiptarësh në portën e Interit.
Erjon Bogdani ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës me skuadrën e Cesenës në “San Siro”, por ekipi i tij humbi 3-2. Edhe Andi Lila do të mbahet mend për festimin me shqiponjë në mitikun italian “Meazza” teksa realizoi me skuadrën e Parmës.
Gjithashtu Berat Gjimshiti ka provuar shijen e golit kundër zikaltërve të Interit në Bergamo në një fitore me goleadë të Atalanës 4-1. Në total janë 13 gola shqiptarë në portën e Interit.
Naim Kryeziu 5 gola
Riza Lushta 3 gola
Loro Boriçi 1 gol
Erjon Bogdani 1 gol
Andi Lila 1 gol
Berat Gjimshiti 1 gol
Nedim Bajrami 1 gol




























