Xherdan Shaqiri edhe zyrtarisht është transferuar te klubi amerikan, Chicago Fire.

Lajmi është zyrtarizuar nga klubi amerikan përmes një video prezantimi të publikuar në faqen zyrtare.

Shaqiri te Chicago Fire u transferua nga klubi francez, Lyon te i cili mbylli aventurën gjashtë mujore.

Reprezentuesi i Zvicrës ka nënshkruar kontratë që e mban atë në klubin e ri deri në fund të vitit 2024.

E vetë futbollisti shqiptar ka dhënë fjalët e para pas zyrtarizimit te klubi i rij.

Shaqiri është shprehur krenar që do ta veshë fanellën e klubit të Chicago Fire.

“Krenar që do ta veshë këtë fanellë”, ka shkruar Shaqiri në Twitter.

30-vjeçari do ta bartë në fanellë numrin 10. Chicago Fire bën gara në kampionatin MLS në Amerikë.

Futbollisti nga Zhegra e Gjilanit gjatë karrierës së tij të bujshme ka veshur fanellat e klubeve të mëdha siç janë Liverpooli, Interi, Bayern Munichu e Baseli.