Kampionia ende në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, është në prag të mbylljes së një edicioni jo të suksesshëm. Synimi i vetëm në katër xhirot e fundit të kampionatit aktual, Prishtinës i ka mbetur mbijetesa, ndonëse ishte vlerësuar pretendente për titull të kampionit dhe në garën për Kupë.
Te Prishtina nuk e diskutojnë mbetjen në elitë. Por kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha për edicionin e ri. Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, flet për “një Prishtinë të riformatuar”. Prishtina pas 32 xhirove zë vendin e pestë me 42 pikë. Është vetëm dy pikë larg Drenicës që mban vendin e tetë. Ekipi që përfundon në pozitën e tetë do të luajë në barazh.
“Do të ketë ndryshime të mëdha, duke nisur nga mënyra e menaxhimit të klubit e deri te lojtarët”, ka thënë Ejupi të martën për KOHËN. Ai më herët kishte paralajmëruar dorëheqjen nga posti i kryetarit, por vazhdon ta mbajë atë.
Burimet e KOHËS kanë thënë se “Prishtinën e riformatuar” si trajner pritet ta drejtojë, Ismet Munishi.



























