Postimet e reja nga mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, të publikuara menjëherë pas ndeshjes së kthimit ndaj Barcelonës u bënë “virale”.

Mbrojtësi ziklatër i kishte mërzitur fort tifozët Blaugrana qysh pas ndeshjes së parë, shumë të kontestuar për shkak të arbitrimit. Fotoja duke tërhequr zvarrë Gavi në “San Siro” u mor si provokim i rëndë në Katalonjë.

Megjithatë, mbrojtësi italian nuk e ka ndalur thumbimin, madje e ka thelluar ironinë pas barazimit dramatik në “Camp Nou”, mbrëmjen e djeshme. Në këtë rast, Bastoni bëri dy postime në Instagram.

I pari ishte një “selfie”, në të cilën gëzohej në dhomën e zhveshjes, në shoqërinë e Henrikh Mkhitaryan, Matteo Darmian, Federico Dimarco dhe Milan Skriniar, me mbishkrimin “bravo, bravo, bravo”, shoqëruar me zemër zikaltër.

Në realitet, ishte postimi i dytë ai që i ka tërbuar fare katalanasit. Bëhet fjalë për një video, në të cilën Dimarco shihet duke zvarritur (shtyrë) Nicolò Barella (autorin e njërit nga tre golat zikaltër) në një karrocë të improvizuar.

Barella imiton pozicionin e të strapacuarit. Video është postuar nga Bastoni, shoqëruar me tre “emoji” dhe mesazhin: “Të luash në ‘Camp Nou’ nuk është aspak stresuese. Nicolò, 25”.