Ylli shqiptar i futbollit, Granit Xhaka, ishte temë diskutimi mes dy prej tenistëve më të njohur në botë, Andy Murray e Roger Federer, kur britaniku Murray ka vizituar Zvicrën, për një turne të mbyllur tenisi.

Xhaka është duke shkëlqyer në një rol të ri tek Arsenali i Mikel Artetas, duke luajtur në një pozicion më sulmues. Reprezentuesi i Zvicrës deri tash ka realizuar katër gola e ka tri asistime në të gjitha garat, duke u renditur si golashënuesi i dytë më i mirë i klubit në sezonin e ri. Forma e tij e ka kthyer Xhakën edhe në idhull të tifozëve, me të cilët para një kohe pati pasur përplasje të ashpër.

“I kam shkruar Rogerit, kur aterrova në Basel dhe i thash: ‘Kam zbritur në qytetin e një prej sportistëve më të mëdhenj ndonjëherë në botë: Granit Xhaka. E di se Granit Xhaka është nga këtu. Jam adhurues i flaktë i Arsenalit. Xhaka po luan shumë, shumë mirë këtë sezon. Ka shënuar tjetër gol të mrekullueshëm të dielën’”, ka treguar Murray për “Aargauer Zeitung”.