Karim Benzema i është bashkuar klubit të fituesve të “Topit të Artë”, por edhe para se të bëhej zyrtarisht lojtari më i mirë i vitit 2022, sulmuesi dha një intervistë të gjerë për revistën GQ, e cila la trashëgim disa reflektime, si futbollistike, ashtu edhe personale.
Benzema dhe Topi i Artë – “Që në fëmijëri ka qenë një nga ëndrrat e mia më të mëdha. Nuk mendoj se shkova të stërvitesha sepse doja të fitoja ‘Topin e Artë’, por më ka qëndruar si pikë referimi gjithmonë në kokë, që kur isha fëmijë. Jam rritur me brezin e formuar nga Zizou dhe Ronaldo. Heronjtë e mi megjithatë janë prindërit, kanë qenë vërtet në telashe.
Si baba jam krenar që i shoh fëmijët e mi në stadium. I dua se me shohin duke luajtur. Dhe kur luaj me Ibrahimin nuk e lë të fitojë, sillem sikur të luanim ndeshje zyrtare. Asnjë justifikim apo ankesë, edhe nëse në fund të stërvitjes e përqafoj nëse ka fituar”.
Nga Lyon te Real Madridi, ku fitoi gjithçka – “Nuk do ta harroj kurrë golin tim të parë me fanellën e OL, ashtu siç nuk do ta harroj kurrë ditën kur debutova me Real Madridin. Më pas Ligën e Kampionëve. Edhe pse e kisha fituar tashmë trofeun katër herë, i pesti ishte i veçantë.
Më përfshiu shumë dhe u ktheva në vitet e para, kur isha i ri dhe vetëm. Nuk e njihja qytetin, gjuhën, ishte një periudhë që më bëri të rritesha dhe të kuptoja se për të qenë i suksesshëm duhej ta ngrija performancën time në një nivel shumë të lartë”.
E ardhmja – Ka ende vend për gola të tjerë përpara se të largohet nga futbolli: “Kam ende disa objektiva. Fjala vjen, Kupa e Botës, që është një përvojë e madhe. Pak mund të thonë se e kanë fituar atë. Pas futbollit kam në plan të stërvis lojtarët e rinj. Qëllimi im është t’i ndihmoj ata të bëhen njerëz të mirë në fillim dhe më pas lojtarë.
Lojtarë të shkëlqyer. Ata duhet të kuptojnë se të jesh më i miri është më e rëndësishme se sa të shënosh. Kam vënë re se shumë djem sot nuk stërviten ashtu siç duhet. Qëllimi i tyre i vetëm është të shënojnë, por ata duhet të kuptojnë se futbolli nuk është vetëm kaq”.





























