Kosova do të luajë kundër Rumanisë të premten në mbrëmje dhe do ta synojë fitoren për të rritur gjasat për ta fituar Grupin C2.  Ndeshja luhet nga ora 20:45 në Bukuresht. 

Rumania e para ka 12 pikë, ndërsa Kosova e dyta është me nëntë pikë. 

Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte mposhtur 3:0 nga Rumania. 

Por, golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit të Rumanisë, Astrit Selmani, pret fitore të Kosovës, pasi thotë se lojtarët janë shumë të motivuar para udhëtimit në Bukuresht. Selmani nuk u ftua nga selektori Franco Foda për këto dy ndeshje. Ai ishte në listën rezervë. 

“Për shtetin dhe tifozët, ne duhet të fitojmë, është ndeshje për t’u fituar. Nuk do të jetë e lehtë, por duhet të fitojmë. Mendoj se nuk do të ketë probleme në stadium. Shpresoj të mos ketë. Politika duhet të qëndrojë jashtë”, ka deklaruar Selmani të mërkurën për mediumin rumun “Digisport.ro”. 

Selmani ka shtatë gola të shënuar e katër asistime në kampionatin rumun. Është golashënuesi më i mirë në ligë, bashkë me Alexandru Mitritan e Universitatea Craiovas. 

Selmani ka treguar se nga kush duhet të ketë kujdes Rumania, e nga kush Kosova. 

“Rumania duhet të ketë frikë nga Vedat Muriqi. Ndonjëherë mund të thuash se ai nuk është në lojë, por është shumë i rrezikshëm në zonë. Në gjuajtjet me kokë, ai është prej më të mirëve në Evropë. Numri 6, Marius Marin, ishte shumë i mirë në ndeshjen ndaj Kosovës. E di se shumica e njerëzve pëlqejnë lojtarët ofensivë si Dennis Man, por në ndeshjen ndaj Kosovës, Marini ishte shumë i mirë. Nga kampionati vendor lojtar shumë i mirë është Mitrita”, ka deklaruar Selmani 27-vjeçar. 

Pas ndeshjes me Rumaninë, Kosova e mbyll edicionin e katërt të Ligës së Kombeve me duelin ndaj Lituanisë në Prishtinë, më 18 nëntor.