Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll ka filluar stërvitjet për ndeshjen ndaj Ukrainës. 

Shqipëria dhe Ukraina përballen të martën nga ora 20:45 në ndeshjen e fundit të Grupit B1 të Ligës së Kombeve.

Në stërvitjen e së dielës morën pjesë futbollistët që nuk u aktivizuan të shtunën në barazimin pa gola me Çekinë. 

Pjesa tjetër e futbollistëve që ishin startues ndaj Çekisë vazhduan me seancë rigjenerimi në palestër. 
Federata Shqiptare e futbollit ka njoftuar edhe për lëndimin që e pësoi sulmuesi i krahut, Jasir Asani ndaj Çekisë. Asani u detyra të zëvendësohej në minutën e 30-të për shkak të një lëndimi muskulor. 

Asani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore dhe më pas do të vendoset nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Ukrainës. 

“Kuqezinjtë”, të hënën do ta kenë stërvitjen e fundit para duelit me Ukrainën. 

Ndërsa edhe seleksionuesi i Shqipërisë, Sylvinho, do të mbajë konferencë për media nga ora 15:45, në ambientet e stadiumit “Air Albania”. 

Çekia i prin tabelës me tetë pikë. Gjeorgjia dhe Shqipëria i kanë nga shtatë pikë. Ukraina është e fundit në tabelë me pesë pikë.