Lëndimi i rëndë e la jashtë fushave për kohë të gjatë sulmuesin Armando Broja. Reprezentuesi i Shqipërisë tashmë e ka tejkaluar lëndimin dhe po e shijon aventurën te skuadra e Evertonit.

Broja pati minuta në dy ndeshjet e fundit në Premier League.

23-vjeçari Broja foli për periudhën e vështirë të cilën ishte duke e kaluar gjatë trajtimit të lëndimit. Ai theksoi se klubi i Evertonit e ka mbështetur shumë gjatë lëndimit.

“Po kaloja një periudhë të vështirë me lëndimin. Evertoni tregoi shumë interes për mua dhe klubi më mbështeti kështu që i detyrohem shumë. Më ndihmoi shumë gjatë dëmtimit tim dhe më ktheu në formë. Në skuadër më kthyen përsëri të buzëqeshur në fushë dhe unë jam vërtet mirënjohës ndaj të gjithëve. E kalova atë proces rikuperimi dhe po ndihem mirë”, ka thënë Broja, shkruajnë të hënën mediumet angleze.

Broja u huazua për një vit tek Evertoni nga Chelsea, në afatin kalimtar të verës.

Nëse vendosë ta transferojë pas një viti, Evertoni duhet të paguajë 30 milionë euro për Brojën.

Me Chelsean, Broja ka kontratë deri në verën e vitit 2028.