Kampion i vjeshtës, por ende jo plotësisht i kënaqur.

Mbrojtësi i krahut të majtë i Kolnit, Leart Paçarada, ka folur për synimet e tij për pjesën e dytë të edicionit, në kampin stërvitor në Estepona të hënën.

“Dua të punoj me veten dhe mbi të gjitha të qëndroj i fortë mendërisht. Unë jam person që shihem me syrin negativ nga njerëzit përreth, së paku këtë ndjenjë e kam. Nuk dua që kjo të ndikojë tek unë”, ka thënë Paçarada.

Mbrojtësi kishte folur më parë për kritikat që ia kishte bërë vetes. Paçarada dha sërish përgjigje kur u pyet nëse ai preferon të luajë me katër apo pesë mbrojtës.

“Ne përshtatemi me të dy sistemet, në fakt edhe me katër mbrojtës. Edhe pse nga mediat akuzohem për punën në defensivë”.

Ndonëse kritikohet, Paçarada vazhdon të jetë pjesë e ekipit bazë të Kolnit, liderit të Bundesliga 2.

Trajneri Gerhard Struber është plotësisht i kënaqur me përkushtimin e futbollistit të Kosovës. Paçarada u paraqit nga minuta e parë në të gjitha 17 ndeshjet e stinorit vjeshtor të Bundesligës 2. Luajti nga 90 minuta dhe mban rekordin me tetë asistime në 20 ndeshje.

Pas transferimit të Jusuf Gazibegoviqit nga Sturm Grazi, konkurrenca për pozitën e mbrojtësit të krahut është rritur. Përforcimi i dimrit ka treguar se mund të luajë si në krahun e majtë ashtu edhe në të djathtë.

Paçarada ka komentuar prurjen e re.

“Gazi është një djalë i hapur. Ai thjesht po vëzhgon, por mund ta dalloni se është si gjilpërë. Ai dëshiron të tregohet dhe kjo do të vijë në ditët dhe javët e ardhshme. Ai sjell shumë gjëra në fushë. Ka dinamikë të mirë dhe është i mirë në duele. Një lojtar i gjithanshëm. Mendoj se është mirë”, ka theksuar Paçarada.

Majtaku vazhdon të qeshë për atë se çfarë ka lexuar dhe çfarë ka parë nga Gazibegoviqi.

“Kam lexuar në gazeta se djali mund të gjuajë mirë. Deri më tani gjuajtjet e tij kanë shkuar huq, kështu që unë jam pak i zhgënjyer”.