Sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj, ka qenë i vetmi që ka munguar në ditën e parë të kampit katërditor, të organizuar nga FFK-ja me futbollistët me potencialë për Përfaqësueses A të Kosovës.
Kampi nisi të dielën, kurse Hazrollaj nuk do të paraqitet as në ditët e ardhshme të grumbullimit me futbollistët nën moshën 21-vjeçare të klubeve vendit dhe klubeve evropiane.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar vetëm se Hazrollaj “nuk iu bashkua ekipit”. Po ashtu FFK-ja ka dhënë arsyet e mungesës së përzgjedhësit, gjermanit Franco Foda. Sipas FFK-së, Foda mungoi shkaku i një problemi shëndetësor, ndërsa do t’i udhëheqë stërvitjet tjera.
Qëllimi i trajnerit gjerman, sipas FFK-së, është të shoh nga afër punën e lojtarëve të klubeve të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës.
Kampi po mbahet në kohën kur klubet si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj kanë nisur përgatitjet për stinorin pranveror. FFK-ja ka gjetur mirëkuptimin e klubeve për t’i liruar lojtarët.
“Normalisht është privilegj i madh për mua dhe secilin lojtar ta përfaqësojë Kosovën. Çdonjëri po e jep maksimumin në stërvitje. Nuk ka problem që është vetëm kamp stërvitor, pasi secili përgatitet të jetë i gatshëm për ndeshje kualifikuese. Për momentin jam kapiten te Kombëtarja U21 dhe besoj që në një të ardhme shumë të shpejtë do të arrij edhe në Kombëtaren A të Kosovës”, ka thënë mesfushori i Malishevës, Etnik Brruti.
20-vjeçari Brruti ka luajtur gjashtë ndeshje për Kosovën U19, ndërsa ka luajtur dy ndeshje miqësore për Kosovën U21. Edhe lojtarët tjerë të grumbulluar kanë luajtur për U19 apo vazhdojnë të luajnë për Kosovën U21.
Tetë prej lojtarëve të grumbulluar bëjnë karrierë jashtë vendit. Të tjerët janë nga klubet kosovare. Ëndrra e secilit është të paraqitet për Kosovën A.
“Shumë mirë po më duket këtu me trajnerët e Kombëtares A dhe me lojtarët, shumë prej të cilëve i njoh dhe që kanë luajtur për ekipet e grupmoshave të Kosovës. Stërvitja e parë kaloi shumë mirë, por i kemi edhe tri ditë. Ky ka qenë gjithmonë qëllimi im, por kam kohë ende, jam i ri. Kombëtarja ka portierë të mirë, por mua më mbetet të punoj dhe të paraqitem mirë me klubin. Sigurisht se qëllimi i të gjithëve këtu është për të luajtur me Kombëtaren A”, ka theksuar Erion Avdija, portieri i Munich 1860, që garon në Kategorinë e Tretë të Gjermanisë.
Albin Gashi po ashtu bën karrierë jashtë vendit, ndërsa shpreson të bindë Fodan për ta ftuar në të ardhmen në ekipin A. Ai në të kaluarën ka luajtur dhjetë ndeshje për Austrinë U19.
“Është kënaqësi të luash për Kosovën. Është gjaku im këtu, babai im ka lindur këtu, familja ime është këtu dhe është ndjenjë e mirë”, është shprehur Gashi.
Stërvitja e së dielës u mbajt në stadiumin “Fadil Vokrri”. Atë e udhëhoqën ndihmësit e Fodas.
Në mars Kosova do të grumbullohet sërish. Por qartë që të tjerë lojtarë do të jenë në grumbullimin e rëndësishëm.
Kosova në mars luan dy ndeshjet e plejofit për ngritje në Ligën B të Ligës së Kombeve. Do të përballet me Islandën.