Evertoni dhe Liverpooli kanë barazuar në derbin e fundit të zhvilluar në “Goodison Park”, në ndeshjen shumë dramatike që u vendos me gol të minutës së 98-të.
Evertoni, që për herë të fundit luajti në këtë stadium ndaj rivalit lokal, në edicionin e ri do të kalojë në stadiumin e ri “Bramley-Moore Dock”.
Ndeshja e zhvilluar të mërkurën mbrëma ishte e mbetur e xhiros së 15-të, ndërsa përfundoi baras, 2:2.
Beto e kaloi në epërsi Evertonin në minutën e 11-të.
Vetëm pesë minuta më vonë, për mysafirët rezultatin e barazoi mesfushori Alexis Mac Allister, me asistim të sulmuesit Mohamed Salah.
Sulmuesi i krahut, në superformë këtë edicion, realizoi për 2:1 në minutën e 73-të.
Ai tani ka 22 gola e 14 asistime.
Salah ka vendosur shumë rekorde në edicionin aktual. Me golin dhe asistimin në ndeshjen e fundit, u përfshi në 23 golat e shënuar nga Liverpooli në 13 ndeshjet si mysafir në Premier League këtë sezon. I ka realizuar 14 gola, ndërsa ka asistuar nëntë herë.
Lojtari që ka pasur përfshirje më të madhe të golave e asistimeve brenda një sezoni në histori të elitës angleze, ka qenë Andy Cole, i cili në edicionin 1993/94, ishte i përfshirë në 21 gola.
Ai po ashtu është vetëm një gol larg për ta barazuar Steven Gerrardin që ka nëntë gola të shënuar në derbin “Merseyside”.
Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, në skenë u shfaq mbrojtësi James Tarkowski, i cili me gjuajtje të fuqishme nga zona, i barazoi shifrat në minutën e 98-të.
Goli pranua pas rishikimit të situatës në VAR, pasi dyshohej për pozitë jashtë loje.
Pas ndeshjes pati edhe tollovi mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Abdoulaye Doucoures së Evertonit iu dha kartoni i dytë i verdhë. Me të kuq pasi përfundoi ndeshja u ndëshkua edhe trajneri i Liverpoolit, Arne Slot.
Liverpooli pas 24 ndeshjeve prinë në tabelë me 57 pikë, shtatë më shumë se Arsenali i vendit të dytë.
Evertoni në pozitën e 15-të ka 27 pikë, aq sa ka edhe Tottenhami në vendin e 14-të dhe West Hami në pozitën e 16-të.