Maqedonia e Veriut është kundërshtarja me të cilën përfaqësuesja e Kosovës për futbolliste ka luajtur më së shumti ndeshje pas pranimit në UEFA dhe FIFA.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të kenë një tjetër përballje të premten nga ora 14:00. Ndeshja Maqedonia e Veriut – Kosova luhet në Shkup.
Me ndeshjen e së premtes në Shkup, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut fillon edicioni i dytë i Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova është në Grupin 6 të Ligës C, ku bën pjesë edhe Letonia.
Kosova ka humbur vetëm njërën prej tetë ndeshjeve të kaluara ndaj Maqedonisë së Veriut. Gjashtë fitore i kanë takuar Kosovës, ndërsa një ndeshje përfundoi baras.
Fitoren e shtatë ndaj Maqedonisë së Veriut, futbollistet e Kosovës e synojnë të premten.
“Besoj që jemi përgatitur shumë mirë. Kemi ushtruar tri ditë me intensitet. Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe shpresojmë në fitore. E kemi pasur përballë disa herë këtë kundërshtar kohët e fundit dhe kemi fituar, por kjo nuk do të thotë se do të jetë një ndeshje e lehtë. E marrim si çdo ndeshje tjetër me seriozitet maksimal. Synojmë për t’u kthyer në Ligën B dhe po punojmë në realizimin e këtij objektivi”, ka thënë futbollistja e Kosovës, Blerta Smajli për faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Edhe Djellza Mehmeti pret fitore ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Është një ndjenjë shumë e mirë. Të kalosh nga grupmosha U19 në ekipin e parë është thjesht ndjenjë e papërshkrueshme. Është kënaqësi dhe privilegj të jesh pjesë e Kombëtares A me këto vajza të mrekullueshme, të cilat kanë treguar sukses. Në bazë të stërvitjeve dhe harmonisë së ekipit, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut”.
Kosova me Letoninë luan të martën e ardhshme në “Fadil Vokrri”.
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova garoi në Ligën C. Ndeshjet ishin luajtur në vjeshtën e vitit 2023, ndërsa Kosova fitoi grupin ku ishin edhe Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova doli në ligën B për kualifikimet për Evropianin 2025. Liga B ishte nivel i papërballueshëm. Futbollistet kosovare i humbën të gjitha gjashtë ndeshjet, duke pësuar 17 gola dhe duke mos realizuar asnjë. Ishin në grup me Uellsin, Ukrainën dhe Kroacinë. Dhe kështu u kthyen në Ligën C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.